Qendrat e mjekësisë familjare në Kaçanik dhe në Hanin e Elezit pranuan nga kontingjenti ushtarak italian i KFOR-it disa pajisje mjekësore, përfshirë elektrokardiografe digjitale, defibrilatorë dhe makina të oksigjenit.
Nisma u financua nga Ministria Italiane e Mbrojtjes me synim të rritjes së aftësive të dy qendrave mjekësore të cilat ofrojnë kujdes shëndetësor për 45,000 persona që jetojnë në ato dy komuna. Javën e kaluar ushtarët italianë të KFOR-it rehabilituan gjeneratorin e oksigjenit mjekësor në spitalin e Prizrenit.
KFOR-i dhe kombet që kontribuojnë me trupa po zbatojnë një numër të projekteve të asistencës në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në përkrahje të reagimit lokal ndaj Covid19, nga të cilat përfitojnë të gjitha komunitetet në Kosovë.
Që nga shpërthimi i pandemisë, misioni i udhëhequr nga NATO-ja ka siguruar pajisje mbrojtëse personale për institucionet shëndetësore në Kosovë, ndërsa ka lehtësuar shpërndarjen e ndihmës nga shtetet aleate dhe partnere, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Turqinë dhe Austrinë.