Ushtria e Shteteve të Bashkuara mbrëmë i ka hedhur poshtë raportet se nga një sulm i saj ajror në provincën Nangarhar në Afganistan janë vrarë së paku 16 civilë.
Ushtria amerikane tha se nga operacioni i saj janë vrarë vetëm luftëtarët militantë.
“Militantët ishin duke e vëzhguar ngarkimin e armatimit në një makinë dhe ishin në mbikëqyrje derisa makina ishte shkatërruar nga një sulm ajror”, i tha agjencisë Reuters, zëdhënësi i ushtrisë amerikane në Afganistan, Bob Purtiman.
“Sulmi ishte kryer në mes të terrenit të hapur. Gjasët ishin zero që të ketë viktima civile”, tha Purtiman.
Një zëdhënës i Ministrisë së mbrojtjes së Afganistanit i tha agjencisë AFP se nga sulmi i forcave të NATO-s janë vrarë pesë kryengritës dhe janë plagosur dy të tjerë.
Më herët gjatë ditës së djeshme, zyrtarët në rajonin Haska Mena në Afganistan, thanë se së paku 16 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, ishin vrarë kur një makinë e udhëtarëve dhe një shtëpi e afërt ishin qëlluar nga sulmi ajror i Shteteve të Bashkuara.