Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se kryerësit e krimit të organizuar do të marrin dënimin e merituar, ndërsa ka shprehur angazhimin e këtij institucioni karshi kësaj dukurie, raporton Ekonomia Online.
Në “Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, të organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se pjesëmarrja e krerëve të shtetit dhe ndërkombëtarëve është shenjë e mirë se luftimi i kësaj dukurie është në rrugë të drejtë.
Ai falënderoi ambasadën amerikane për organizimin e kësaj ngjarjeje, teksa u zotua për
“Në misionin tonë për forcimin e shtetit ligjor, padyshim janë mediet dhe dua t’i falënderoj me të cilët me punën e tyre e bën subjekt i hetimit të shumë krimeve korruptive e të kësaj dukurie”, tha ai.
“Përkushtimi jonë duhet të jetë serioz në mënyrë që mos të ketë vonesa ndaj personave që cenojnë vlerat e njeriu, të përcaktuara me konventat ndërkombëtare. Jam optimist se angazhimi i prokurorit të shtetit dhe të tjerëve nuk do të mungojë si dhe do të kenë mbështetje viktimat e krimit”.
“Dua ti njoftoj qytetarët se kryerësit e krimit do të marrin dënime të merituara, ndërsa viktimat e krimit do të marrin trajtimin e duhur. Zyra për ndihmën e viktimave të krimit, ka ofruar ndihmë për 2 mijë raste vetëm në gjashtë mujorin e parë”, tha tutje ai.
Kryetar i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka kërkuar unifikim të dënimeve të dhunës seksuale dhe krimit.
Ai ka thënë se karshi kësaj dukurie, nuk duhet të jenë tolerantë, raporton EO.
“Si kryesues po vazhdojmë punën në unifikimin e rasteve të dhunës seksuale. Ka filluar të ndryshoj praktika jo e mirë e gjyqësorit, praktika ndëshkimore, dhe shpresoj që gjyqtarët të ndryshojnë këtë praktikë. Jemi duke i miratuar disa rregulla edhe sa i përket gjyqtarëve”, tha ai.
“Nuk guxojmë të jemi tolerantë ndaj dhunuesve, kohëve të fundit janë rritur ndjeshëm rastet dhe organet kompetente duhet të jenë më të vëmendshëm. Këto raste duhet të parandalohen dhe nuk mjafton vetëm masa ndëshkimore”, tha ai.
Fjalimi i U. D. Kryeprokurorit të Shtetit:
E nderuara Shkëlqesia Juaj, Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,
I nderuar Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës z. Enver Peci,
I nderuar Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës z. Jetish Maloku,
Të nderuar ish Kryeprokuror të Shtetit
Të nderuar kryeprokurorë, kryetarë të gjykatave, prokurorë dhe gjyqtarë,
I nderuar Shkëlqesia Juaj, Ambasador i SHBA-së në Kosovë z. Jeffery Hovenier,
Të nderuar ambasadorë
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike dhe partnerë ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore, të mediave dhe shoqërisë civile
I nderuari U.D. menaxher i Zyrës për mbrojtjen e viktimave dhe Ju mbrojtës të viktimave të krimit,
Të nderuar të pranishëm,
Është nder i veçantë që sot jem nikoqir i juaj dhe që së bashku të bëjmë hapjen e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit.
Pjesëmarrja e drejtueseve të institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë në këtë ngjarje është mesazhi më i mirë se të gjithë së bashku jemi të vendosur për të mbrojtur viktimat e krimit.
Jam tejet i lumtur dhe është shumë inkurajuese të shoh sot një strukturë të tërë institucionale e cila ka për qëllim mbrojtjen, kujdesin dhe dhënien e të gjitha shërbimeve profesionale bazike dhe esenciale për të gjitha viktimat ,që kanë pësuar nga aktet e ndryshme kriminale..
Fakti që kjo javë organizohet në mbështetje të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe përkrahet nga miqtë e tjerë ndërkombëtarë, na jep të drejtë për të besuar se viktimat e krimit kanë partnerë dhe mbështetës të fuqishëm.
Prandaj, më lejoni të falënderoj në mënyrë të veçantë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OPDAT-in për kontributin e dhënë në avancimin e të drejtave të viktimave përgjatë këtyre viteve, ndihmë kjo e cila na bërë model për vendet e tjera të rajonit. Po ashtu, dëshiroj të falënderoj edhe partnerët tjerë ndërkombëtar të cilët në forma dhe mënyra të ndryshme kanë ndihmuar Prokurorin e Shtetit dhe Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave.
Ne misionin tonë për forcimin e shtetit ligjor, partnerë të veçantë kemi patur dhe dëshirojmë ti kemi mediat, të cilat dua t’i falënderoj për të gjitha ato raste të cilat i kanë hulumtuar dhe publikuar, ku shumë prej tyre janë bërë objekt i hetimeve nga ana e institucionit të Prokurorit të Shtetit. Po ashtu, një falënderim të veçantë dua ta bëjë edhe për shumë organizata të shoqërisë civile të cilat po japin një kontribut të çmuar në identifikimin dhe mbrojtjen e kategorive të ndryshme të viktimave të krimit, andaj ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë rolin e tyre.
Të nderuar të pranishëm, më lejoni që të shpreh angazhimin tim të plotë si Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në forcimin e sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e viktimave të krimit, andaj ju bëjë thirrje për një bashkëpunim dhe koordimim profesional dhe institucional , në mënyrë që secili nga ne, bazuar në legjislacionin që e kemi e që është ndër më të avancuarit në rajon dhe më gjerë të ofrojmë gjithë kapacitetet tona për të mbrojtur viktimat e krimit që nga momenti i identifikimit të tyre, gjatë procedurave të ndryshme ligjore e deri të rikuperimi dhe rehabilitimi i tyre i plotë.
Përkushtimi ynë duhet të jetë seriozë dhe profesional, në mënyrë që në asnjë moment të mos ketë neglizhim dhe vonesa në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të viktimave, të garantuara me Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.
Kështu ne do tua mundësojmë të gjithë viktimave një proces të drejtë dhe do t’ju sigurojmë një jetë normale në frymën e paqes, lirisë dhe prosperitetit.
Jam optimist se angazhimi i Prokurorit të Shtetit, mbrojtësve të viktimave dhe të gjitha Institucioneve dhe mekanizmave të tjerë relevantë, që në çfarëdo mënyre kanë detyrime ligjor për të mbështetur viktimat e krimit, nuk do të mungojë, sepse viktimat dhe të mbijetuarit e krimit mbajnë sytë gjithmonë kah të gjithë ne, e në veçanti kah drejtësia, e cila duhet të sigurojë qytetarët që kryerësit e krimit do të ndëshkohen, ndërsa viktimat do të rehabilitohen dhe riintegrohen për të jetuar të lirë dhe të barabartë më të gjithë të tjerët, andaj ne mund të jemi qetë dhe të kënaqur vetëm atëherë kur trajtimi i viktimave bëhet në mënyrën më të mirë profesionale dhe kur viktimat do të jenë të kënaqura më shërbimet dhe veprimet tona.
Dua të theksojë së vetëm gjatë nëntë mujorit të vitit 2022, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2163 raste të viktimave të të gjitha kategorive. Po ashtu mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 2148 seanca gjyqësore dhe 578 seanca në prokurori.
Sa i përket kompensimit të viktimave të krimit, vetëm përgjatë vitit 2022, komisioni për kompensim të viktimave ka pasur gjithsejtë 15 kërkesa në Ministrinë e Drejtësisë. Ku 12 prej tyre janë aprovuara, dy (2) të tjera janë kërkesa në proces, ndërsa vetëm një (1) kërkesë është e refuzuar. Mbështetja, mbrojtja dhe kujdesi që po u japim viktimave të krimit nëpërmjet mbrojtësve të viktimave tregon për gatishmërinë tonë institucionale dhe shoqërore që t’ju ndihmojmë atyre ta rifillojnë jetën e tyre.
Në kohën e fundit është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 49 raste të dhunimeve dhe 64 raste të tjera të ngacmimeve seksuale, Kjo situatë na ka detyruar që në kuadër të Prokurorit të Shtetit të marrim masa shtesë për të parandaluar dhe luftuar ketë lloj të kriminalitetit, andaj në secilën prokurori, përveç prokurorëve koordinator për rastet e dhunës në familje, trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjen e gazetarëve, janë caktuar edhe prokurorë koordinator për veprat penale kundër integritetit seksual të cilave raste jemi duke u dhënë një prioritet të zgjidhjes së tyre.
Të nderuar prokurorë dhe ju mbrojtës të viktimave,
Sado që përpjekjet tona janë të vazhdueshme, megjithatë, jemi të vetëdijshëm se ende duhet shumë punë dhe përkushtim nga ne, si prokurorë, si mbrojtës të viktimave dhe nga institucionet tjera të drejtësisë për të parandaluar abuzimet, dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet e viktimave.
Duhet të jeni të vëmendshëm për të gjitha ato indicje që paralajmërojnë dhunë ndaj viktimave dhe që janë shqetësuese për qytetarët tanë. Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetues, mbrojtësve të viktimave dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë dhe Institucioneve tjera kompetente për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të krimit.
Nga ju pres që me profesionalizëm dhe përkushtim t’u shërbeni të gjitha viktimave sa herë që dëmtohen nga krimi dhe trokasin në dyert e prokurorisë, duke i trajtuar me kujdes, profesionalizëm dhe dinjitet.
Dua t’jua kujtoj se, përtej obligimit ligjor, mbrojtjen e viktimave duhet ta shohim edhe si angazhim fisnik të punës sonë. Garantimi i të drejtave dhe trajtimi i viktimave të krimit në harmoni me aktet vendore dhe ndërkombëtare, jo vetëm që është në funksion të parimeve të drejtësisë, por i përket edhe parimeve dhe vlerave më të larta humane bashkëkohore.
Jam i bindur që me angazhimin e të gjithëve neve është e mundur të krijojmë një sistem efektiv dhe efikas jo vetëm të prokurorisë por edhe të të gjitha institucioneve tjera të drejtësisë, Policisë dhe atyre që kanë detyrimet ligjore për të mbështetur viktimat e krimit .
Në fund, dëshiroj të theksoj se institucioni i Prokurorit të Shteti, në vazhdimësi dhe me profesionalizëm do të intensifikojë luftën kundër të gjitha veprave penale, përfshirë këtu rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, integritetit seksual, dhunues në familje, dhunës në baza gjinore dhe të gjitha formave tjera të krimit, sepse vetëm kështu do të ndikojmë në rritjen e besimit jo vetëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë, njëkohësisht do ta fuqizojmë autoritetin, kredibilitetin dhe integritetin e Prokurorit të Shtetit.
Si U.D. Kryeprokuror i Shtetit i siguroj të gjithë qytetarët se jam në mbështetje të kësaj rruge të përbashkët për vendosjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Ju faleminderit shumë për vëmendje dhe ju inkurajoj për më shumë forcë dhe energji për të arritur suksese në punën tuaj!
LEXONI EDHE: