Një vaksinë kundër malaries ka dalë të jetë 77% efektive në provat e para, dhe mund të jetë një zbulim i madh kundër kësaj sëmundjeje, ka bërë të ditur ekipi i Universitetit të Oksfordit i cili qëndron prapa këtij zbulimi.
Malaria vret më shumë se 400.000 njerëz në vit, në tërë botën, shumica prej të cilëve fëmijë, në pjesë të ndryshme të Afrikës. Pavarësisht se shumë vaksina kundër saj janë krijuar ndër vite, kjo e zbuluar nga Universiteti anglez është e para që arrin cakun.
Hulumtuesit kanë thënë se vaksina mund të ketë ndikim të madh në shëndetin publik. Kur është provuar në 450 fëmijë në shtetin perëndimor të Afrikës, Burkina Faso, vaksina ka dalë të jetë e sigurtë, duke treguar nivel të lartë të efikasitetit, deri në 12 muaj ose edhe më shumë.
Një provë më e madhe me përafërsisht 5.000 fëmijë të moshave nga 5 muaj deri në 3 vjet, do të bëhet në katër shtete të ndryshme të kontinenti afrikan, për të konfirmuar gjetjet e zbulimit.
Malaria është një sëmundje vdekjeprurëse e cila shkaktohet nga parazitët të cilët transmetohen tek njerëzit nga pickimi i mushkonjave.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm gjatë vitit 2019, në mbarë botën janë paraqitur 229 milionë raste të malaries dhe 409.000 vdekje si pasojë e saj.
Simptomat kryesore të sëmundjes janë temperatura, kokëdhimbja, të dridhurat, dhe nëse nuk trajtohet me kohë, mund të shkaktojë edhe sëmundje të tjera dhe madje edhe vdekjen.