Izraeli ka vendosur që t’i ofrojë donacion 100 mijë doza të vaksinës anti Covid-19 për disa vende me të cilat, siç thuhet, ka marrëdhënie të ngushtë dhe kanë hapur ambasadat në Jerusalem.
Në listë mes tjerash është Guatemala, që e ka ambasadën e saj të vendosur në Jerusalem, si dhe vende tjera që kanë në plan të bëjnë një gjë të tillë.
Por, nuk përmendet Kosova, që më 1 shkurt vendosi marrëdhënie diplomatike me shtetin hebre dhe bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Guatemalën është vendi i tretë në botë që zyrtarisht do hap përfaqësinë e saj diplomatike në qytetin e shenjtë. Shumica e vendeve e kanë në Tel Aviv.
Të enjten nga Qeveria e Izraelit nuk kanë treguar nëse Kosova është futur në listë për marrjen e donacionit me vaksina, veçse qysh të martën për mediat lokale qeveritarët izraelitë sqaruan se vendet duhet të kërkojnë dozat.
Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë në Prishtinë nuk dhanë asnjë deklaratë lidhur me këtë çështje.
Megjithatë, drejtoresha e Komitetit Amerikano-Izraelit, Avital Leibovich, mendon se në opinionin kosovar nuk duhet të sjellë përfundime të ngutshme.
“Sapo që ambasada e Kosovës të hapet në tokën e Izraelit, do të jetë historike. Pastaj mund të diskutohen opsionet e ndryshme. Nuk ka vend për nxitim. Korona do të mbetet me ne për një kohë të gjatë. Izraeli do të marr miliona vaksina së shpejti. Po ashtu, këtu kemi një fabrikë që pritet të prodhojë vaksina. Prandaj nuk shoh arsye që Kosova së shpejti të përfitojë nga gjithë ky operacion i shkencës dhe dijes” tha Leibovich.
Izraeli është kampion bote në vaksinimin me ilaçin kundër koronavirusit. Ky shtet ka 9 milionë banorë, 50 përind të të cilëve tashmë janë injektuar.
E në Kosovë situata është krejt ndryshe.
Përjashtuar 100 doza të vaksinë Biontech që Serbia i futi në mënyrë klandestine dhe të njejtat u injektuan te disa banorë në veri të Republikës, Kosova është vendi i vetëm në Ballkan e Evropë që nuk ka dhënë asnjë dozë të ilaçit anti-koronavirus.