Vaksina kundër koronavirusit, e krijuar nga shkencëtarët e Univeristetit të Oksfordit, është miratuar për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo shënon një pikë të madhe kthese, që do të çojë në zgjerimin e fushatës së imunizimit, shkruan BBC.
Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milionë doza nga prodhuesi AstraZeneca – të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë njerëzve.
Miratimi nga rregullatorët mjekësorë nënkupton se vaksina është edhe e sigurt, edhe efektive.
Vaksina Oxford/AstraZeneca është krijuar në muajt e parë të këtij viti, është testuar te vullnetari i parë në muajin prill dhe që atëherë ka kaluar nëpër prova klinike në shkallë të gjerë, që kanë përfshirë mijëra njerëz.
Qysh më 8 dhjetor, mbi 600,000 njerëz janë vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar me vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNTech.
Por, vaksina Oxford/AstraZeneca do të çojë në rritje të konsiderueshme të vaksinimit pasi është e lirë dhe prodhohet lehtë në masë.
Ajo mund të ruhet në frigorifer standard, ndryshe nga Pfizer/BioNTech që ka nevojë për ruajtje në temperaturë ultra të ftohtë: -70 gradë Celsius.