Vaksinat kundër COVID-19, të zhvilluara nga kompanitë “Pfizer”-“BioNTech” dhe “Moderna”, janë tejet efikase dhe e ulin për 90 për qind rrezikun nga infeksioni me koronavirus pas marrjes së dozës së dytë, ka treguar të hënën një studim i gjerë amerikan.
Gjetjet e studimit të ndërmarrë nga Qendrat amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse e konfirmojnë efikasitetin e këtyre vaksinave me bazë ARN-në, me anë të vrojtimit të tyre gjatë përdorimit mes qytetarëve, pas testimeve paraprake klinike, ka raportuar agjencia “Associated Press”.
Sipas studimit, shkalla e rrezikut nga infeksioni ka rënë për 90 për qind, dy javë pas administrimit të dozës së dytë. Këto të dhëna e konfirmojnë efikasitetin e vaksinave, të demonstruar në testimet masive klinike të kryera para autorizimit të tyre për përdorim emergjent nga Agjencia amerikane për Ushqim dhe Ilaçe.