Kompania farmaceutike franceze Sanofi ka njoftuar mbështetjen e saj për konkurrentët BioNTech dhe Pfizer në prodhimin e vaksinës së tyre kundër Coronas. Bashkëpunimi ka të bëjë me fazën e vonë të prodhimit të më shumë se 125 milionë dozave, tha Sanofi.
Do të përdoret fabrika e Sanofit në Frankfurt
Që nga vera për këtë do të përdoret fillimisht fabrika e Sanofit në Frankfurt. Për ta bërë këtë, megjithatë, më parë duhet të modifikohen sistemet në fabrikën në Frankfurt-Höchst, tha një zëdhënëse e Sanofit në Gjermani.
Shkak për këtë është se vaksina e BioNTech-ut bazohet në teknologjinë e substancave të mARN – ndryshe nga vaksina për të cilën po punon Sanofi së bashku me kompaninë farmaceutike britanike GSK. Sanofi nuk dha detaje financiare të marrëveshjes.
Numri i përgjithshëm mbetet i njëjtë
Sipas BioNTech-ut, kjo procedurë nuk ndryshon asgjë në numrin e përgjithshëm të prodhimit të vaksinave. Një zëdhënëse e Biontech tha për agjencinë e lajmeve AFP se numri do të mbetet në dy miliardë dozat e planifikuara të vaksinave.
Drejtori i Përgjithshëm i Sanofit, Paul Hudson kishte njoftuar më parë në gazetën franceze “Le Figaro” se ai donte të ndihmonte për mbushjen e vaksinës. Meqenëse fabrika e Sanofit në Frankfurt është afër qendrës së BioNTech-ut në Mainz, kjo do t’i bënte gjërat më të lehta.
Sanofi vazhdon punën për vaksinat e tij
Kompania gjithashtu planifikon të punojë për dy vaksinat e veta kundër Covid-19. Zhvillimi i vaksinave nga Sanofi dhe partneri britanik GlaxoSmithKline është vonuar kohët e fundit.
Po të kenë sukses studimet e ardhshme, Sanofi pret miratimin e vaksinës të bazuar në proteina rreth fundit të vitit 2021. Sanofi po zhvillon gjithashtu një vaksinë mRNA në partneritet me kompaninë amerikane Translate Bio.