Profesori universitar Blerim Latifi thotë se Kurti veproi si liderët botëror kur zgjodhi që të merrte i pari vaksinën kundër Covid-19. Ai nuk arsyeton kritikat që erdhën në drejtim të të parit të qeverisë. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Latifi numëron arsyet pse Kurti do të duhej të kritikohej sa u përket vaksinave.
“Nuk më duket bindëse arsyeja për ta kritiku Kurtin që i pari morri vaksinën. Ai bëri atë që kanë bërë të gjithë drejtuesit e shteteve, anë e kënd botës, si kundërpërgjigjje ndaj panikut masiv nga vaksinat të përhapur nga budalltë e teorive konspirative, të cilët e kanë një pjesë të madhe të përgjegjësisë pse njerëzit nuk po i respektojnë masat e mbrojtjes nga Covidi”, shkruan Latifi në Facebook.
“Kurti nuk ka pasur tjetër zgjidhje. Nëse nuk do vaksinohej, budalltë e teorive të çipave të Bill Gates-it dhe atyre të sterilizimit përmes vaksinës, sonte do të bënin festë. Nëse Kurti do ta merrte vaksinën pas disa të tjerëve, prapë do t’i thoshin: ky po do me provu tek të tjerët njëherë, se po dyshon, ka diçka këtu. Edhe këtë interpretim budalltë e teorive konspirative do ta kapitalizonin për t’i çmendur edhe më shumë njerëzit”, theksoom ai.
“Mendoj se Kurti nuk duhet kritikuar pse morri vaksinën. Ai duhet kritikuar e sulmuar nëse, nga sot, dështon që Kosovës t’ia sigurojë vaksinën për të gjithë qytetarët e saj. Natyrisht, me kritiku fort nëse shohim se burokratët rreth tij përfitojnë nga rasti që me u vaksinu para qytetarëve të tjerë, në kuadrin e këtyre pak vaksinave që kemi në dispozicion, falë lëmoshës ndërkombëtare”, përfundoi Latifi.