Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një intervistë për Ekonomia Online, e ka cilësuar iniciativë të mirëseardhur vaksinimin e mjekëve nga Kosova në Shqipëri, konkretisht në Kukës.
Sejdiu ka sqaruar se deri më tani janë vaksinuar 250 profesionistë shëndetësorë, por që fillimisht siç tha ai ka pasur dilema nëse duhet që mjekët kosovarë që të vaksinoheshin në shtetin shqiptar.
Krejt kjo ngase sipas tij, nuk kishin marrë përgjigje konkrete nga ministria e Shëndetësisë.
“Ka qenë një donacion i shpresës së vullnetit të mirë nga ana e Qeverisë së Shqipërisë dhe si të tillë mendoj se duhet ta kualifikojmë si një iniciativë e mirë dhe si çështje që mund të na ndihmojë. Ka qenë një hamendje në fillim nga ana e profesionistëve shëndetësor të shkojmë të mosshkojmë, do të kemi dozën të parën në Shqipëri dhe të dytën në Kosovë dhe në një mënyrë të gjitha këto problematika janë paraqitur te punëtorët shëndetësor”.
“Ministria e Shëndetësisë për dhjetë ditë asnjë përgjigje nuk ka dhënë Qeverisë së Shqipërisë se do ta pranojë a nuk do ta pranojë, sepse në fillim kanë shkuar në mënyrë individuale të vaksinohen”.
“Është një paqartësi që ka shkaktuar huti tek punëtorët shëndetësor, por prapë se prapë është me rëndësi që një pjesë vetëm sa ka filluar të vaksinohet, ku deri më tani janë 250″.
Sejdiu theksoi se për mosardhjen dhe vonesën e vaksinës në Kosovë duhet të përgjigjet niveli politik, raporton EO.
“Arsyet që janë dhënë prej nivelit politik sa i përket ardhjes së vaksinës kanë qenë shumë kontradiktorë në shumicën e rasteve dhe në të vërtetë nuk janë gjetur asnjë dhe ende nuk e dimë arsyen e plotë të vonesës së vaksinës”.
“Ne në vazhdimësi jemi në kontakt me odat e profesionistëve shëndetësor ku është shprehur mungesa e vaksinës gjithandej Evropës, por për mos ardhjen në Kosovë duhet të përgjigjet niveli politik”.