Vaksinimi i personaliteteve, Rama: Është gjest simbolik, të gjithë do jenë mbi 80 vjeç

Prishtinë | 21 Shk 2021 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka sqaruar sërish sot planin për vaksinimin e personaliteteve.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë ne Elbasan, kreu i qeverisë tha se ‘furtuna në gotë’ kundër vaksinimit të personaliteteve nuk duhet të ndodhte, pasi të gjithë ata që do të marrin vaksinën e parë do të jenë mbi 80 vjeç.

Ai u shpreh se gjithçka është simbolike, për të sensibilizuar qytetarët e tjerë të marrin vaksinën dhe të mos ndikohen nga teoritë konspirative. Po ashtu Rama shtoi se të gjithë ata që e kanë kundërshtuar këtë nismë e kanë gabim dhe reagimet kanë qenë për të shfryrë mllefin kundër tij dhe qeverisë.

“Flas për personalitete 80-vjeçar, nuk flas për personalitete jashtë kësaj kategorie. Bëhet fjal për nisje të procesit të vaksinimit për personalitete mbi 80 vjeç për të dhënë një mesazh solidariteti me ta. Nga ana tjetër bëhet për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre tek njerëzit në kushtet kur vaksinimi është një fushatë kudo. Fushata e vaksinimit është sensibilizim tek ata që dyshojnë se vaksina është e dëmshme dhe ka teori konspirative”.

“Nuk janë të parët me diferencë, por do të vaksinohen me ta dhe njerëz të tjerë të zakonshëm. Është bërë një reagim shumë i padenjë, shumë mizerabël do thoja nga njerëz që kanë mundësi të komunikojnë me publikun dhe e shpërdorojnë edhe këtë rast që ta shfryjnë kundër meje dhe kundër qeverisë. Unë besoj se nuk do ishte e denjë që të ngrihej kjo stuhi në gotë, kur bëhet fjalë për disa dhjetëra persona që i kanë dhënë kësaj shoqërie”, ka thënë Rama./tvklan.al/

Të ngjashme