Italia po arrin shifrën dëshpëruese të 100 mijë viktimave, ndërkohë që shkalla e infektimeve po vazhdon që të rritet, ndërsa shkalla e vaksinimeve në të gjithë vendin vazhdon që të mbetet minimale.
Ndonëse ka nisur vaksinimi i të moshuarve, autoritetet italiane mbeten të shqetësuara për shkallën e lartë të viktimave.
Drejtori i Shëndetit Publik në Romë, Enrico Di Rosa, është shprehur për Reuters se vendi pritet të paguajë një çmim të lartë përsa i përket shëndetit – jetëve dhe shtrimeve në spital – pa llogaritur pasojat ekonomike.
Gjatë fundjavës, Ministria e Shëndetësisë italiane ka raportuar përkatësisht 297 dhe 307 viktima.
Italia deri tani ka regjistruar 99.578 viktima nga Covid-19 që nga nisja e pandemisë në shkurt të vitit të kaluar, duke u shndërruar në vendin e dytë me më shumë viktima në Evropë, pas Britanisë së Madhe, dhe vendi i shtatë në botë. Gjatë një viti janë raportuar rreth 3 milion raste të infektimesh me koronavirus.
Në kohën që vala e dytë e pandemisë së Covid -19 filloi që të rriste numrin e infektimeve në gjysmën e parë të Nëntorit të vitit të kaluar, pranimet në spital shkuan në rreth 1000 në ditë, ndërkohë që vendet në terapinë intensive në rreth 100 në ditë.