Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) dhe Telekomi i Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për përkrahjen e platformës teknologjike “Bujku”.
Me këtë marrëveshje bashkëpunimi të dyja institucionet do të japin mbështetjen e tyre në zhvillimin e mëtejmë të këtij aplikacioni, i cili do të ju sigurojë fermerëve anë e mbanë vendit që të qasen në informata të ndryshme për sektorin e bujqësisë, qoftë për aplikimet për grante, rezultatet, por më e rëndësishmja qasjen në treg, përmes gjetjes së blerësve dhe shitësve, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, tha se me anë të kësaj marrëveshje është bërë një kurorëzim institucional.
“Sot është kahja e dhënies së përkrahjes në aspektin e bujqësisë, i cili vitet e fundit ka pasur zhvillim më të mirë. Telekomi i Kosovës ka ofruar infrastrukturën e vetë në kuadër të aplikacionit që ka për qëllim në lehtësimin e bujqësisë në mbledhjen e informatave”, ka thënë ai.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi tha se kjo platformë ka ardhur si iniciativë e Valës shumë më herët.
“Më vjen mirë që kjo platformë është zhvilluar dhe do të ketë përkrahje institucionale mes dy partnerëve Ministrisë së Bujqësisë dhe Valës.Ne do ta ndihmojmë këtë projekt duke dhënë informata për shpallje subvencione e këshilla të ndryshme”, ka thënë ai.
Krasniqi ka theksuar se kjo platformë do të shkon edhe përtej asaj që është nënshkruar sot.
Sipas tij, gjatë këtij viti planifikojnë të mbajnë një konferencë ku do të ftojnë të gjitha palët e interesit për të diskutuar për mënyrat shtesë për teknologji të informacionit dhe inovacionit për bujqësi.
Kurse kryeshefi i Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë, Elhami Hajdari tha se me lansimin e këtij produkti do t’i ndihmojnë fermerët.
‘Bujku’ është e qasshme qysh tani në sistemin android, ndërkaq është duke u zhvilluar edhe për sistemin iOS.