Telekomi lanson produktin “Bujku”

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 13:35 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Telekomi i Kosovës ka promovuar produktin më të ri, një platformë, që do të ofrojë informata për bujqit dhe prodhuesit për tregun bujqësor, përfshirë informacione për grante e donacione.

Promovimin e këtij produkti e ka bërë drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, me Shoqatën e Fermerëve të Kosovës, në ambientet e Fermës & Qumështores “Eurolona” në Miradi të Epërme.

Aplikacioni u tha se do të shtrihet edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, për të bërë konkret tregun mbarëshqiptar dhe pse jo edhe më gjerë, pasi shitja e produkteve bujqësore nga fermerët e Kosovës dhe Shqipërisë është kthyer në një nevojë esenciale.

“Kemi ardhur sot ta promovojmë bursën apo platformën agro-industriale, një lloj aplikacioni apo ta quajmë bursë elektronike, e cila paraqet revolucion për Telekomin e Kosovës. Paramendojeni prodhuesit bujqësorë, qumështarët, fermerët, dhe prodhuesit tjerë në vend, do të kenë informacion në kohë reale për grantet, donacionet, projektet dhe lehtësirat e tjera për informim në lidhje me këtë biznese. Gjithashtu do kenë informacion për çdo produkt bujqësor, pemë, perime, vreshtari, pemëtari, bletari, ambalazhime, pika grumbulluese dhe sasinë e tyre. Padyshim se është një gjë që s’ka ekzistuar më parë dhe nuk gjendet ende në rajon”, tha drejtori menaxhues i Telekomit, Agron Mustafa.

Sipas tij, ky produkt paraqet revolucion të njëjtë me atë që ndodhi me telekomunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili nga 80 cent për minutë, ka rënë në 10 cent. Gjithashtu, një javë në Shqipëri mund të kalohet me më pak se 5 euro, duke përdorur internetin e shpejtë të pakos ALB 2, ndërkohë që numri nuk ka nevojë të ndërrohet, shtoi ai.

“Kjo bursë online apo platformë do të sjellë një revolucion të tillë, fillimisht në sektorin e bujqësisë në vendin tonë dhe brenda pak kohësh edhe në gjithë tregjet shqiptare”, deklaroi drejtori Mustafa.

Milazim Berisha, pronar i Fermës & Qumështores “Eurolona”, tha se ky aplikacion që ka krijuar Vala është i jashtëzakonshëm, sepse do t’i ndihmojë jo vetëm qumështarët, por të gjithë fermerët e këtij sektori që të kenë informata në kohë reale.

“Është një ndihmë e madhe për të gjithë bujqit dhe fermerët e Kosovës, për faktin se lehtëson shumë komunikimin tonë reciprok dhe marrjen e informacioneve të shpejta, të sakta dhe të nevojshme”, pohoi Berisha.

Kjo platformë u vlerësua si një inovacion, jo vetëm për tregun e Kosovës, por edhe të rajonit dhe më gjerë, dhe synon të ndihmojë zhvillimin e agrobiznesit dhe të ekonomisë në përgjithësi.

Premton Bobaj, zhvillues i aplikacionit, shpjegoi se aplikacioni mundëson qasje në tregun virtual për promovimin e produkteve, por edhe pikat grumbulluese të produkteve të qumështit do ta kenë më lehtë për t’i gjetur.

“Një fermer, apo një prodhues bujqësor, nuk do të ketë nevojë më të bredhë apo të presë korridoreve të ministrive dhe organizatave të ndryshme, për të marrë informacione për grantet, donacionet dhe ndihmat tjera që jepen nga Qeveria e Kosovës apo Komisioni Europian dhe Banka Botërore”, u shpreh ai.

Të gjitha këto informata, së bashku me të gjitha llojet e prodhimeve bujqësore në Kosovë, të gjitha pikat grumbulluese, të gjitha llojet e ambalazheve dhe produkteve tjera në funksion të bujqësisë, të interesuarit do t’i kenë në telefon. Mjafton një numër i Valës dhe shkarkimi i aplikacionit, i cili 6 muajt e parë do të jetë falas, ndërsa më vonë do të jetë i disponueshëm kundrejt një shumë simbolike.

eurolona-3

eurolona-2

agron-mustafa

Të ngjashme