‘Princ Valentino Corleone’ është arrestuar dje në Gjilan. Në raportin policor thuhet se ai dyshohet për kanosje ndaj babait të tij. Pas arrestimit, Vali ka dërguar disa audio-incizime në redaksinë e Gazetës Express, për të dhënë versionin e tij rreth këtij rasti. Sipas tij, kjo ngjarje është e montuar nga familja e tij.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas Hashanit, babai i Valit e ka raportuar atë në Polici, duke thënë se e ka kanosur derisa ishin në shtëpinë e tyre.
Lidhur me këtë ngjarje, Vali Corleone ditën e djeshme ka dërguar disa audio-incizime në redaksinë e Gazetës Express duke thënë se e gjithë kjo ngjarje është e montuar nga familja e tij (siç i referohet Vali “familja e Kosovës”).
Sipas tij, familja e ka montuar këtë rast, meqenëse dëshirojnë që t’ia marrin pasurinë.
“Jam në stacion të Policisë, po dëshirojnë familja, familja ma ka bo një montazh gënjeshtër kinse i kom ngacmu, familja e Kosovës po dëshirojnë me më shkatërrua, me m’i marr gjërat, pasuritë e me ma shkatërrua edhe me figurën time edhe emrin tim”, u shpreh Vali në njërin audio-incizim.
Ndërsa, në audio-incizimin e dytë, Vali u shpreh: “Shumë vite kështu kundër meje, kinse familja, no comment.
“Këta i korruptojnë policët, prokuror, gjykatës, doktor, për me më shkatërrua mua, montojnë gjera, okej, nëse sonte mbyllna nga nesër mos u ndalni për realitet te kingit. Shume vite kështu kundër meje, kinse familja, no comment, por I’m the King, okej ,thank you”, thotë Princ Valentino Corleone.
Ditën e djeshme, përmes një shkrimi në rrjete sociale lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Anita (e cila e quan vetën si vajza e “King Vali Corleone”), e cila ka shkruar se ka qenë dëshmitare me disa persona të tjerë dhe se nuk është e vërtetë se Vali i ka kërcënuar ata.
Sipas saj, kjo është një shpifje ndaj Valit që ai të përfundoi në burg dhe ata t’ia marrin pasurinë e tij, teksa ka treguar edhe disa situata të tjera të cilat mund t’i shihni në fotografitë e publikuara në rrjete sociale.