Në një tubim të mbajtur së fundmi në fshatin Henc, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, prezantoi programin dhe projektet konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë komunitet.
“Henci është harruar nga pushteti aktual dhe ka probleme elementare që duhet të zgjidhen,” tha Prebreza në këtë tubim. Ai theksoi nevojën urgjente për zgjerimin e rrugës kryesore dhe trotuarëve për të siguruar lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për banorët. Ai premtoi gjithashtu rregullimin e ndriçimit publik, një investim ky që do rrisë sigurinë në të gjitha pjesët e fshatit.
Një zotim i rëndësishëm është edhe rregullimi i shtratit të përrockës që kalon përmes Hencit, për të parandaluar vërshimet dhe rritur cilësinë e ambientit natyror. Prebreza synon gjithashtu të rinovojë shkollën dhe ndërtimin e parqeve të reja për fëmijë duke siguruar kushte më të mira për fëmijët, nxënësit dhe personelin arsimor aty.
Ky takim pasqyron vullnetin dhe përkushtimin e Prebrezës për të adresuar problemet konkrete të fshatit Henc nga njëra anë, dhe mbështetjen që ky komunitet i jep kandidatit, nga ana tjetër.
