Gjatë debatit me kundërkandidatë në RTK, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, theksoi tre arsye kyçe që sipas tij e bëjnë atë kandidatin më të mirë për kryetar të komunës së Fushë Kosovës.
E para, ai premton që për katër vitet e ardhshme qytetarët do të jenë prioriteti absolut në çdo vendimmarrje dhe veprim të administratës komunale. E dyta, Prebreza synon një qeverisje bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse, ku bashkëqeverisja me komunitetin dhe institucionet do të jetë element themelor i menaxhimit lokal. Dhe e treta, ai premton udhëheqje me duar të pastra, duke garantuar transparencë, përgjegjshmëri dhe luftë kundër çdo forme korrupsioni.
“Me 12 tetor qytetarët e Fushë Kosovës e kanë mundësinë me zgjedhë një një qeverisje me duar të pastërta për 4 vite, një bashkë qeverisje me juve, ku qytetari i Fushë Kosovës ka me u kanë prioritet i jemi. Numri është 105, Lëvizja Vetëvendosje, kandidat jam unë, I juaji jam, aty jetoj, hallet jua di” tha Prebreza kur u pyet pse duhet të votohet si kryetar I Fushë Kosovës.
Prebreza u paraqit në garë me numrin 105 dhe përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje, duke iu bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë për një të ardhme më të drejtë dhe transparente në Fushë Kosovë. Ky mesazh i tij përqendrohet në ndërtimin e një komuniteti ku integriteti dhe përfshirja qytetare janë bazat e zhvillimit lokal.