Trajneri Ernesto Valverde ka tronditur hierarkinë e futbollistëve te Barcelona, duke vendosur të lërë në bankën e rezervistëve mesfushorin Sergio Busquets. Busquets ka qenë i pazëvendësueshëm te Barcelona me vite të tëra, duke regjistruar mbi 500 paraqitje gjatë karrierës së lavdishme që përfshin edhe tre trofe të Ligës së Kampionëve e tetë tituj të Spanjës.
Asnjë futbollist tjetër i Barcelonës nuk është përputhur me aftësinë e Busquetsit për ta mbajtur vijën para mbrojtjes, duke larguar topat, ndërprerë aksionet e kundërshtarëve dhe duke bërë presion të madh, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo, 31-vjeçari tash ka ardhur në një pikë të karrierës ku nuk po e sheh veten titullar te Barcelona në ndeshjet me kundërshtarë të vështirë.
“Zgjidhjet janë çështje e trajnerit. Unë respektoj vendimet e tij dhe sa herë që jam në lojë mundohem të jap më të mirën nga vetja”, është shprehur Busquets për mediumet spanjolle.
Javën e shkuar, Valverde habiti të gjithë kur në ndeshjen kundër Interit largoi Busquetsin dhe inkuadroi Arturo Vidalin, edhe pse ishte në disavantazh. Kjo lëvizje iu shpagua Valverdes, pasi Vidal asistoi në golin e barazimit që e shënoi Luis Suarez. Në fund, Barça e fitoi duelin me shifrat 2:1.