Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka mposhtur Raheem Sterlingun e Manchester Cityt për t’u shpallur Lojtari më i mirë i vitit në Premier Ligë.
Kështu raporton “Daily Mail”, një ditë para njoftimit zyrtar nga Premier Liga. Sipas raportimit, qendërmbrojtësi holandez ka fituar mbështetjen e kolegëve pas paraqitjeve të mrekullueshme këtë sezon.
Ai ishte i përfshirë në listën e ngushtë prej gjashtë emrash bashkë me Sadio Manen, Raheem Sterlingun, Sergio Agueron, Bernardo Silvan e Eden Hazardin që ishin pretendentë për të fituar çmimin.
Edicionin e kaluar këtë çmim e kishte marrë Mohamed Salah i Liverpoolit.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 28 prill.
Van Dijk ka pasur 44 paraqitje për Liverpoolin në të gjitha garat këtë edicion. Ai iu bashkua “Të Kuqve” në janar të vitit 2018 për 75 milionë funte nga Southamptoni.