Nuk është dashur gjatë që sistemi i video-ndihmës (VAR) të bëhet temë diskutimi, ndërsa ka debutuar në fazën grupore të Ligës së Kampionëve të martën, shkruan AP.
Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka mbetur i pakënaqur me një penallti që u akordua për Napolin, duke e ndihmuar skuadrën italiane drejt triumfit 2:0 ndaj kampionit në fuqi të Evropës, transmeton Koha Ditore.
Dries Mertens konkretizoi penalltinë tetë minuta para fundit të ndeshjes, pas një ndërhyrjeje në zonë të Andy Robertsonit ndaj Jose Callejonit.
Zëvendësuesi Fernando Llorente shënoi në minutat shtesë golin e tij të parë me Napolin për të mbyllur dilemën e fituesit.
Klopp ka vlerësuar se Callejon ka ekzagjeruar kontaktin, pas ndërhyrjes së Robertsonit.
“Unë jam shumë i bindur se ka mënyra të ndryshme për të parë këtë. Kur një lojtar kërcen para se të ketë kontakt, atëherë nuk është penallti”, ka deklaruar Klopp.
Ai është befasuar se si referët kanë ardhur te vendimi për të akorduar penalltinë.