Regjistrimi për vrapimin “Shtegu i Shpresës” ka kohë që është hapur dhe deri më tani, për të vrapuar janë regjistruar me qindra pjesëmarrës.
Ky aktivitet tashmë është bërë shumë i njohur dhe ka gjetur përkrahjen e një numri të madh të njerëzve.
Më saktësisht aktiviteti do të zhvillohet më 3-4 mars për të përkujtuar fillimin e luftës, rezistencën në Kosovë dhe për të shënuar dekadën e parë të Kosovës si shtet i pavarur.
Për 200 vrapuesit e “Shtegut të Shpresës” që kompletojnë distancat 50 km dhe 100 km, KTRA bashkë me medaljet do të dhurojë edhe disa varëse të pranuara nga Kadire Tahiraj, udhëheqësja e Qendrës për promovimin e të drejtave të gruas në Drenas.
Secila varëse është e punuar nga të mbijetuarat e luftës në Kosovë, që tani nuk rreshtin duke punuar për rimëkëmbjen e familjeve dhe vendit të tyre.
Nuk ka trofe më të qëlluar për të përmbyllur vrapimin se përkujtimi i sakrificës dhe shpresës për ndërtimin e paqes për të gjithë.
Për informata më të hollësishme rreth regjistrimit ju lutem vizitoni faqen e KTRA në Facebook, www.ktra-ks.com ose dërgoni pyetjet tuaja në email adresën: [email protected].