“Lot zemre” është një përmbledhje me poezi e autores Mejreme Balaj, e cila pjesën dërmuese të këtyre vargjeve ia kushtoi birit të saj dëshmor, që ra në përballje me forcat pushtuese serbe, më 6 janar të vitit 1999, duke lënë pas vetës një veprimtari të bujshme atdhetare. Me këtë përmbledhje, që mban një titull metaforik, autorja, pos birit të saj të dashur do t’i kushtojë vargje edhe bashkëluftëtarëve të djalit të saj, tash dëshmorë, por edhe të gjithë dëshmorëve e heronjve, në mesin e tyre edhe komandantit legjendar Adem Jashari. Me këtë veprim, kjo nënë tregon se është një bijë shqiptari të cilës shqiptaria dhe atdhedashuria, qysh nga rinia i rrinte në zemër. Pos kësaj, nga vargjet shihet se autorja si nënë ishte shumë e përkushtuar t’i edukojë fëmijët e saj në frymën atdhetare. Këtë e dëshmon me frymën me të cilën ajo i shkroi vargjet e veta.
Edhe pse koha në të cilën jetoi ishte sjellë si njerkë ndaj saj, dhe bashkëmoshatareve , duke mos i lënë t’i vijojnë mësimet përtej tetëvjeçares, ajo si një poete e intelektuale e vërtetë do të merret me tematikat, që për dekada e shekuj të tërë e munduan popullin tonë. Ajo, edhe si nënë, por edhe si një shqiptare e atdhetare, menjëherë pas viteve të vlimeve të mëdha, viteve të ’90, do të merret me fenomenin e shpërnguljes së shqiptarëve, duke e quajtur atë si një plagë që dhemb dhe shkretëron vatrat tona. Në vargjet e saj, do të trajtojë edhe shkaqet e këtyre largimeve, siç ishin bie fjala përndjekjet për refuzim për shkuarje në ish-Armatën Jugosllave, dhunën dhe terrorin e pushtuesit mbi popullatën shqiptare, por edhe varfërinë, që u dyfishua pas largimeve masive të punëtorëve nga puna, që i bëri pushtuesi pas viteve të nëntëdhjeta. Pra, largimin e bijve e djemve të Kosovës e përjetonte me dhembjen e një nëne e cila shqetësohet kur nuk i ka fëmijët afër vetës. Pos, këtij fenomeni, autorja do t’i kushtojë kujdes edhe vlimeve politike, kurse preokupimet e saja vërtiten rreth e përqark organizimeve e angazhimeve te të rinjve në luftën çlirimtare siç ishin bie fjala, Adrian Krasniqi, Edmond Hoxha, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Adem Jashari, e shumë e shumë luftëtarë të orëve të para të luftës për çlirim.
Duke portretizuar mirë rolin dhe angazhimin e këtyre të rinjve, doemos do ta analizojë e prezantojë edhe rolin e birit të saj dëshmor, Blerimit, në luftën për çlirim, deri në detaje, siç do ta bënte secila nënë, që do ta kishte talentin e saj krijues.
E preokupuar me veprimtarinë e birit të saj, ajo për asnjë çast nuk e sheh atë jashtë veprimtarisë së shokëve të tij të idealit, të cilëve, nëpërmjet vargut do t’ua jap epitetet më të mira, të atdhedashurisë dhe të përpjekjeve për liri dhe çlirim nga zgjedha serbe. Krahas dhembjes, që shpreh për birin e saj, siç do ta shprehte secila nënë, që do të gjendej në pozitën e saj, ajo për asnjë çast nuk e fsheh edhe krenarinë, për mundësinë që pati për t’ia falë një djalë Kosovës dhe lirisë së saj.
Ajo, këtë e manifeston edhe gjatë dialogut, që zhvillon me birin e saj tash dëshmor, i cili i kishte lënë shumë porosi, sa ishte gjallë, që të mos mërzitej nëse ai do të binte në fushën e nderit, sepse kishte edhe djem të tjerë, dhe se asaj si nënë i takonte t’ia falte një djalë Kosovës. Këto thënie autorja do të arrijë t’i prezantojë me fuqinë e fjalës, duke iu dhënë kurajë edhe nënave tjera, bijtë apo bijat e të cilave ranë për lirinë e vendit. Nga vargjet e saja tregon qartë se ajo nuk është një lokaliste. Preokupimet e saj janë të njëllojta, si për dëshmorët, ashtu edhe për mjediset . Ajo që të lë përshtypje, gjatë leximit të vargjeve të saja, është kujdesi që tregon ndaj Drenicës, të cilën e vlerëson dhe çmon si një vatër rezistence e cila nuk iu nënshtrua asnjë pushtuesi.
Me këtë përmbledhje, autorja, pos që dëshmon talentin e saj krijues, ajo na bën të qartë se me poezi është marrë që herët, kurse vargjet e përmbledhura janë të periudhave të ndryshme kohore, por edhe të motiveve të ndryshme. Krahas atyre, me të cilat i këndon fatit të saj, dhe të gjeneratave të kohës, në përmbledhje gjejmë vargje që i këndon edhe mësuesit të fëmijëve të saj, të cilin e krahason me poetin e vargjeve të lira, Migjenin, i cili po ashtu vdiq i ri si pasojë e shëndetit të lig. Pra, larushia e vargjeve dhe e motiveve përmbledhjes i japin një përmbajte, që përshkohet me një seriozitet dhe përkushtim të veçantë, kurse veçantia e saj qëndron në faktin se një nënë i këndon birit të saj dëshmor dhe dëshmorëve tjerë pa dallim dhe se për këtë që bën ndjehet krenare siç është krenare edhe me veprimtarinë e tyre.