Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka biseduar sot me Komisionarin për Zgjerim të BE’së, Oliver Varhelyi, me të cilin kanë diskutuar për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, dialogun me Serbinë dhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Lajmin për bisedën e ka bërë publik vetë Komisionari për Zgjerim, duke thënë se me Hotin kanë diskutuar për nevojën e rinisjes së dialogut me Serbinë dhe për vizat.
“Diskutim i mirë dhe konkret me kryeministrin e Kosovës për bashkëpunimin në të ardhmen, për reformat drejt integrimit evropian, rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë me COVID-19, planet për investime në të ardhmen. Folëm gjithashtu edhe për nevojën që të rinisë dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave”, ka shkruar Varhelyi.