Shqipëria, sipas Komisionit Evropian i ka përmbushur kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut ende jo.
Konstatimi u bë nga komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi gjatë Forumit Ekonomik të Tiranës, i cili u mbajt online.
Varhelyi lavdëroi punën e kryer nga Shqipëria dhe vlerësoi se BE po bën të pamundurën për t’iu përmbajtur zotimeve të saja për sa i përket projektit të zgjerimit. Mirëpo nga Maqedonia e Veriut ai kërkoi më shumë punë, së cilës i vuri në dukje problemet me Bullgarinë për sa i përket disa pikave rreth historisë.
“Maqedonia e Veriut ka zhvilluar një ritëm të qëndrueshëm në zbatimin e reformave për në BE, në veçanti në sferën e të drejtave themelore. Është e rëndësishme që sa më shpejtë të gjenden zgjidhje të pranueshme për çështjet e pazgjidhura midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,” – tha Varhelyi, raporton Euronewsal.
Kryeministri i RMV-së Zoran Zaev u përgjigj se Shkupi pret prej 16 vitesh nisjen e bisedimeve për anëtarësim, se përpjekjet për reforma vazhdojnë ndërsa për çështjen me Bullgarinë tha se po punohet, por theksoi se “për identitetin maqedonas nuk mund të bëhet kompromis”.
Disa shtete anëtare të BE-së i kanë kërkuar përfaqësuesit të jashtëm Joseph Borrel që të vijohet me procesin e zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor, kërkesë që është vendosur në agjendën e Këshillit për t’u diskutuar në muajin prill