Varroset kuksiani i vrarë në Prizren, babai i tij: Kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Sot në Kukës është varrosur 31-vjecari Visart Cengu, që u vra në orët e para të së martës, pasi doli nga një lokal në Prizren.

Një i afërm i tij ka publikuar fotografi nga ceremonia e varrimit të 31-vjeçarit që kishte ardhur nga Franca për festat e fundvitit.

Ai ka shpërndarë edhe fjalën e babait të viktimës, i cili, ndër të tjera ka thënë “Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë”, citohet të ketë thënë Behar Cengu.

Visart Cengu dyshohet se u vra nga Dibran Hoxhaj, i njohur me nofkën “Kobra”, i cili është pronar i lokalit ku kishte qëndruar Cengu mbrëmjen kur u vra.

Postimi i plotë:

Sot në varrezat e qytetit në Kukës i dhamë lamtumirën e fundit të riut Visart (Behar) Cengu, 31 vjeçar, i cili u vra në makinë duke u larguar nga një lokal në dalje të Prizrenit.

Mijëra qytetarë kuksianë dhe miq të familjes Cengu nga Kosova kishin ardhë për ta përcjellë në banesën e fundit këtë të ri i cili kishte ardhur nga Franca për ta kaluar ndërrimin e moteve në vendlindje.

Kjo vrasje është përjetuar rëndë jo vetëm nga familjarët por edhe nga të gjithë kuksianët dhe miqtë e shumtë të familjes Cengu nga Kosova e mërgata.

“Ne kishim një armik të përbashkët, Serbinë, të cilës bashkërisht ia drejtuam pushkën dhe kurrë nuk besoja se kemi plumba për shqiptarë” u shpreh i ati i Visartit i cili bashkë me vëllëzërit e tij i kishte kontribuar luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës!

I lehtë i qoftë dheu Visartit e familjarëve Zoti iu dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje. Qoftë kjo vrasja e fundit në mes të shqiptarëve!

Të ngjashme