Vazhdimi i dialogut pas formimit të Qeverisë së re, kryeministri i vetmi që mund të jetë udhëheqës

Prishtinë | 04 Gus 2019 | 08:28 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi nuk është i mundur para krijimit të një Qeverie të re, pasi sipas njohësve të zhvillimeve politike, rifillimi i këtij procesi tash është i pakuptimtë.

Sipas tyre, dorëheqja e Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit ka ndikuar në procesin e dialogut, pasi thonë se kjo Qeveri nuk ka më kompetenca juridike e as legjitimitet politik, ndërsa tashmë vetëm Qeveria e re mund të vendosë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i  tha Ekonomia Online se i vetmi institucion, i cili ka mbetur funksional pas dorëheqjes së kryeministrit, është Presidenca.

“Procesi aktual absolutisht ndikon në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi shohim që institucionet kushtetuese nuk janë në funksion të plotë, pra nuk kanë mundësi të ushtrojnë funksionet e tyre të plotë kushtetuese dhe ligjore. Ndikimi do të jetë i drejtpërdrejtë sepse kur kemi zgjedhje të parakohshme, nuk kemi Kuvend funksional dhe kemi një Qeveri e cila nuk i ka funksionet e saja të plota për ushtrimin e obligimeve kushtetuese dhe ligjore dhe i bie që i vetmi institucion funksional në vend të jetë Presidenca”. 

Ndërsa, për udhëheqjen në vazhdimin e dialogut, ajo ka thënë se kryeministri duhet ta udhëheqë, në konsultim me presidentin dhe me mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës.

“Ne kemi kërkuar si KDI pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, që të jetë kryeministri ai që e udhëheq procesin e dialogut në konsultim me presidentin dhe në mbikëqyrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, këtë duke e bazuar si në aktgjykim të Gjykatës, por qoftë edhe në Kushtetutën e Kosovës. Kuvendi duhet të jetë aty prezent gjithë kohës për të mbikëqyrur këtë proces”.

Edhe pse e konsideron pozitive mbështetjen e ShBA-së për procesin e dialogut, për Kosovën e sheh të nevojshme ndërtimin e një konsensusi të brendshëm dhe ndërtimin e një qëndrimi unik shtetëror karshi Serbisë, në tryezën e diskutimit.

“Pavarësisht mbështetjes që e kemi pas nga BE-ja dhe ShBA-ja, ne kemi pa që gjatë viteve të fundit nuk kemi arritur si shtet të ndërtojmë një qëndrim unik, ku institucionet e ndryshme kanë shty përpara çështje të ndryshme, presidenti çështjen e korrigjimit të kufijve, kryeministri ka qenë kundër saj dhe spektri më i gjerë politik, ndërsa ne e mirëpresim mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, i bie që ne të jemi para obligimit tonë primar si shtet serioz e demokratik që pretendojmë të jemi dhe ta ndërtojmë që të kemi një qëndrim unik ndaj procesit të dialogut dhe më pas të lobojmë me këto shtete”. 

“…në këtë proces ne duhet të jemi shumë vigjilent që të mos e tjetërsojmë integritetin tonë territorial si Republikë e Kosovës, të mos prekim funksionimin tonë të brendshëm si shtet dhe nëpërmjet këtij procesi të hapim rrugëtimin tonë evropian dhe anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtare si shtet me të drejta të barabarta”. 

Edhe Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi mund të arrihet vetëm kur institucionet kryesore kanë funksione të plota, raporton Ekonomia Online.

“Marrëveshje përfundimtare ndërmjet të dy shteteve duhet të arrihet atëherë dhe vetëm atëherë kur institucionet kryesore janë të gjitha në funksion të plotë dhe ka një sinkronizim mes tyre. Për më tepër duke pasur parasysh rrethanat të cilat sugjerojnë se do të ketë zgjedhje të reja konsiderojë që të gjitha palët e përfshira duhet të insistojnë në respektimin e zakonit të krijuar nga praktikat e më hershme e të cilat praktika tregojnë se dialogu gjithmonë pushon në kohë zgjedhjesh deri në formimin e Qeverisë së re”.

“Vendimi i gjykatës Kushtetuese mbi jo kushtutueshëmrinë e ligjit për dialog e ka përcaktuar qartësisht që përgjegjësia e përfaqësimit të Kosovës dhe negocimit të një marrëveshje i takon ekskluzivisht dhe në radhë të parë Qeverisë. Prandaj është e qartë që kur do që do të rifillojë dialogu kushdo që do të jetë në udhëheqje të Qeverisë do ta ketë përgjegjësinë kushtetuese dhe obliguese për përfaqësimin e Kosovës në raundet e ardhshme”.

Kurse sa i përket një marrëveshja brenda këtij viti, Kryeziu nuk shprehet shumë optimist, pasi sipas tij, zhvillimet brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë shpërqendruar vëmendjen për dialogun mes dy shteteve fqinje.

“Është shumë vështirë për ta përcaktuar kornizës kohore brenda së cilës mund të ketë një marrëveshje përfundimtare. Ne kujtojmë që një marrëveshje përfundimtare pritej që veç se të ndodhte në fillim të këtij viti dhe më së largu në qershor të këtij viti, mirëpo më duhet të kujtojë që zhvillimet të mëdha edhe të rëndësishme ka pasur edhe brenda BE-së të cilat zhvillime kanë shpërqendruar BE-në nga dialogu Kosovë-Serbi duke pasur parasysh që ata kanë pas një vëmendje të koncentruar në konstituimin e vet institucioneve të tyre pas zgjedhjeve të majit të këtij viti dhe më të përfunduar ky proces është e qartë që tani mund të ketë një rikthim të vëmendjes në dialogun Kosovë-Serbi”.

Bisedimet, që kanë nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, aktualisht janë ndërprerë për shkak të taksës  që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Një përpjekje për të rinisur me dialogun kanë bërë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Por, edhe kjo nismë nuk ka sjellë si rezultat vazhdimin e dialogut.

Po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump, i kanë inkurajuar palët që të arrijnë marrëveshje.

Të ngjashme