Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitar të sulmeve të ndryshme ndaj institucioneve publike, mediave e madje edhe ndaj personave zyrtarë.
Sulmi në Kuvendin e Kosovës, pastaj sulmi ndaj objektit të RTK-së dhe shtëpisë së drejtorit të këtij mediumi, Mentor Shala dhe sulmi në shtëpinë e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion, Murat Mehës, kanë qenë sulmet të cilat kanë bërë që të shtohen masat e sigurisë.
Deri më tani policia ka arrestuar gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes të dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq lidhur me sulmet e tjera prokuroria është në vazhdimësi të hetimeve. Të paktën kështu i është thënë Telegrafit në një përgjigje të prokurorisë të pyetur se deri ku ka shkuar procesi i hetimeve për sulmin ndaj objektit të RTK-së dhe shtëpisë së drejtorit të RTK-së, Mentor Shala dhe ndaj shtëpisë së Murat Mehës.
“Ju informoj se për rastet për të cilat keni pyetur janë duke u zhvilluar hetimet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Pas grumbullimit të të gjitha provave, gjegjësisht pas përfundimit të hetimeve prokurori i çështjes vlerëson se a ka prova të mjaftueshme, të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer vepër penale apo jo dhe pastaj do të vendosë për ngritje ose jo të aktakuzës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Më tej prokuroria ka shtuar se për shkak se rastet janë në hetime këto janë të gjitha informatat që mund të bëhen publike.
Përgjegjësin për këto sulme e kishte marrë grupi “Rugovasit”, grup ky i cili nga policia është thënë se është i përbërë nga gjashtë aktivistët e Vetëvendosjes të cilët po vazhdojnë të mbahen në arrest, mirëpo të njëjtit sipas policisë është thënë se dyshohen vetëm për sulmin ndaj Kuvendit, por jo edhe për sulmet e tjera në fjalë.