Në Iran kanë vazhduar protestat pro-qeveritare në ditën e tyre të tretë, pak kohë para se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mbajë takimin urgjent rreth protestave të përgjakshme kundër qeverisë në këtë vend.
Raportimet në mediat perëndimore për protestat kundër qeverisë janë zvogëluar, pasi Teherani ka bllokuar mediat sociale të përdorura nga protestuesit për të shpërndrarë momente të protestës.
Mirëpo shërbimi qendror i Radios Evropa e Lirë, ka siguruar informacione të besueshme nga disa burime në Iran, se ende janë duke vazhduar protestat kundër klerikëve udhëheqës në Teheran dhe qytete tjera.
Kjo konsiderohet sfida më e madhe e këtij vendi në pothuajse një dekadë.
Pamjet nga qyteti Mashhad, ku kanë filluar protestat më 28 dhjetor, kanë shfaqur qindra protestues derisa kanë bërë thirrje kundër klerikëve, si përgjigje ndaj deklaratave të Gardës Revolucionare se protestat kanë përfunduar.
Mediat shtetërore iraniane nuk kanë mbuluar protestat kundër qeverisë prej kur Garda Revolucionare e Iranit ka pretenduar se protestat kanë përfunduar.
Mirëpo mediat shtetërore kanë raportuar se kjo Gardë është duke vazhduar me rritjen e numrit të forcave të sigurisë në disa pjesë të vendit.
Të paktën 22 persona janë vrarë në përplasjet në mes të protestuesve kundër qeverisë dhe forcave të sigurisë, ndërsa më shumë se 1,000 protestues të tjerë është raportuar se janë arrestuar.
Mediat iraniane shtetërore kanë raportuar për protestat pro-qeveritare, duke shtuar të njëjtat pritet të mbahen edhe sot gjatë lutjeve të së premtes.
Protestat po mbahen në pesë qytete në Iran duke përfshirë Tabrizin dhe Kermanin.
Gjatë lutjeve të së premtes në Teheran, kleriku i linjës së ashpër, Ahmad Khatami, ka thënë se ai mbështet vendimin e qeverisë për bllokimin e rrjeteve sociale për shkak të protestave, pasi sipas tij në momentin që ka marrë ky vendim “trazirat janë ndalur”.
“Kombi ynë nuk e përkrahë një rrjet social, i cili udhëhiqet nga duart e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Khatami.
Sipas tij çdokush që ka djegur flamurin iranian duhet të dënohet me vdekje.