Në Urën e Ibrit në Mitrovicë po vazhdojnë qe më shumë se një javë punime të vogla, si lyerja e “bedenave” e të ngjashme, nga kompania e angazhuar nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkohë karabinierët italianë të KFOR-it tashmë kanë vendosur pikë statike mbi urë. Aty ndodhen edhe Policia e Kosovës e pjesëtarë të Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit – EULEX, sikur shihet në pamjet e Ekonomia Online.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e Urës mbi Ibër dhe për këtë qëllim është bërë dhe një testim i qëndrueshmërisë së urës.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, ka thënë për Ekonomia Online se ende nuk kanë një datë të saktë se kur do të hapet ura. Ai ka thënë se pas draft-raportit që kanë pranuar dje, tani janë në pritje të raportit final për gjendjen e urës.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se do të vazhdojnë diskutimet dhe koordinimin me partnerët në lidhje me hapjen e urës.
“Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, deklaroi Kurti, në fjalën hyrëse në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”, ka thënë Kurti.
SHBA-ja, BE-ja dhe aleatë të tjerë kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”. Edhe KFOR-i ka thënë se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të bëhet me marrëveshje, në të kundërtën la paralajmëruar se do të ushtrojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të OKB-së.
Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se hapja e urës tani mund të rrezikojë sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.