Vazhdon edhe sot sulmi ndaj ambasadës amerikane në Irak

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Ushtarët amerikanë kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i larguar përkrahësit e Iranit nga perimetri i afërt i ambasadës në Bagdad. Kjo është dita e dytë e sulmit ndaj ambasadës të Shteteve të Bashkuara në Irak.

Dhjetëra pjesëtarë të një grupi militant të përkrahur nga Irani dhe përkrahësit e tyre e kaluan natën para hyrjes së ambasadës amerikane. Të martën, disa protestues arritën t’i kalojnë rrethojat dhe i dëmtuan xhamat e kompleksit të ndërtesave diplomatike.

Forcat amerikane përdorën gaz lotsjellës të mërkurën për shkak se numri i protestuesve para ambasadës u rrit dhe ata ia vunë flakën kulmit të ndërtesës për pranimin e vizitorëve.

Protestuesit e sulmuan ambasadën amerikane pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër grupit “Kataib Hezbollah”, i cili përkrahet nga Irani. Në këto sulme u vranë 25 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e fajësoi Iranin për sulmin ndaj ambasadës në Bagdad dhe e kërcënoi republikën islamike se do të paguajë një çmim shumë të madh për këtë veprim.

Për më tepër, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, të martën në mbrëmje njoftoi se 750 trupa do të dërgohen në Lindje të Mesme për shkak të rritjes së tensioneve në Irak, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme