Në territorin e Komunës së Malishevës, është duke vazhduar fushata e dezinsektimit selektiv të zonave endemike.
Ky proces është duke u monitoruar nga ana e zyrtarëve përgjegjës komunal, njofton komuna, përcjell Klan Kosova.
Edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Shpëtim Robaj”, është rritur shkalla e gatishmërisë për ofrimin e shërbimeve për rastet e thumbimeve nga rriqrat, të cilët janë edhe bartës të virusit të etheve hemorragjike.
“Fushatën e dezinsektimit, krahas monitorimit të vazhdueshëm të shtabit komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK, sot, e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ku është njoftuar me procesin e realizimit të kësaj fushate, e cila bëhet në kuadër të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK”, thuhet në kumtesë.
“Kjo është rezultat i punës së vazhdueshme të të gjitha organeve kompetente, si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror, pasi është duke u trajtuar seriozisht kjo situatë dhe është duke u bërë një punë e jashtëzakonshme në trajtimin e situatës epidemiologjike, dhe rezultati është se nuk kemi rast të infektimit apo të vdekjeve”, ka thënë Berisha.
“Po ashtu edhe në QKMF në Malishevë, është rritur gatishmëria nga ana e stafit profesional, të cilët merren me trajtimin e rasteve të thumbuara nga rriqrat. Krahas largimit të rriqrave në mënyrë profesionale, në QKMF, bëhen edhe analizat e personave të thumbuar, dhe për këtë qëllim edhe laboratori, punon me orar të zgjatur, ndërsa regjistrohen edhe të gjitha rastet që paraqiten për trajtim në QKMF”.
Malisheva ka hyrë në vitin e pestë, që nuk ka raste të vdekjeve nga rriqrat, si dhe në vitin e katërt radhazi, që nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me virusin e EHKK.