Ish-drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Fushë-Kosovës, Jakup Dumani, është duke u akuzuar me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” gjatë viteve 2013-2014 për shkak të një objekti të ndërtuar pa leje.
I akuzuari Dumani nuk kishte ndërmarrë veprime për të rrënuar objektin ndërtimor, i cili ishte ndërtuar pa leje nga kompania e ndërtimit “Kabashi AM”, me arsyetimin se Komuna e Fushë-Kosovës nuk kishte mjete të mjaftueshme për rrënimin e këtij objekti.
“Unë si drejtor i kam zbatuar të gjitha procedurat ligjore të cilat kanë qenë në kompetencën time lidhur me këtë çështje”, deklaroi i akuzuari Dumani para trupit gjykues.
“Unë i kam thënë inspektores që të vlerësojë kushtet se rrënimi a do të mund të shkaktojë rrezik për rrethin dhe njerëzit e më pas të vlerësojë e të merr aktvendim për rrënim. Unë në bazë të informacioneve që i kam nga inspektorja jam në dijeni se investitori i ka ndërprerë punimet, pastaj kanë vazhduar përsëri të ndërtojnë”, shtoi i akuzuari Dumani, duke iu referuar inxhinieres së ndërtimtarisë, Valbona Morina.
Sipas të akuzuarit Dumani, objekti në fjalë është rrethuar me shirit si dhe i është vendosur pllaka për ndalim punimesh si pasojë e mosposedimit të lejes.
Ndërkaq, në seancë i pranishëm ishte edhe vetë pronari i firmës “Kabashi AM”, Atdhe Kabashi, i cili është i akuzuar me veprën penale “punime ndërtimore të kundërligjshme”.
Përkundër proceseve për t’i ndërprerë punimet, i akuzuari Kabashi nuk i kishte lejuar punëtorët të ndalonin procesin e ndërtimit, pasi që sipas tij kishte qenë shumë afër marrjes së lejes së ndërtimit.
“Ka pasur raste kur inspektori i ka vendosur shiritat pas shumë vërejtjeve por punëtorët i kanë hequr ato me urdhrin tim dhe kanë vazhduar të punojnë”, shtoi i akuzuari Kabashi.
Për mosmarrjen e lejes i akuzuari Kabashi akuzon Agim Muratovicin, pasi që ishte ai i cili e lajmëroi këtë rast në Prokurori për shkak të një procedure kontesti-more që kishin pasur më herët.
Jakup Dumani akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se gjatë viteve 2013-2014 në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Fushë-Kosovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për firmën “Kabashi AM”.
Sipas aktakuzës, Dumani nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e objektit afaristo – banesor të ndërtuar nga firma “Kabashi AM” me pronar Atdhe Kabashin, edhe pse këto veprime ishin kompetencë e tij.
Ndërsa Atdhe Kabashi akuzohet se gjatë viteve 2013 – 2014 në cilësinë e pronarit të firmës “Kabashi AM”, me seli në Prishtinë, ka vepruar ne kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, pasi në mënyrë të kundërligjshme pa leje ndërtimi ndërtoi objektin banesor në zonën kadastrale në Fushë-Kosovë. (kallxo.com)