Vazhdon gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë

Prishtinë | 19 Gus 2024 | 07:53 | Nga Ekonomia Online

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë këtë të hënë (sot, 19 gusht), pas pushimeve të verës.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale do të vazhdojë procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pas rreth tri javëve në pushime verore. Gjyqi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – rasti më i madh i Gjykatës Speciale – do të nisë në orën 09:00, ndërsa në bazë të kalendarit, seancë do të ketë edhe të martën e të mërkurën (20 e 21 gusht).

DHSK-ja në vendimin e fundit për Thaçin dhe Veselin ka konstatuar se ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat e gjykatës dhe kryejnë krime kundër kundërshtarëve të perceptuar të UÇK-së apo dëshmitarëve, prandaj ua ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj. Kjo masë ndaj tyre është vazhduar përmes dy vendimeve të ndara nga kryetari i trupit gjykues.

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar rreth 80 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa këtë të hënë pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës. Kjo seancë, që pritet të zgjasë disa ditë, sipas njoftimit, do të jetë e hapur për publikun.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Të ngjashme