Vazhdon gjykimi ndaj Xhabir Zharkut

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me dhënien e dëshmisë se dëshmitarit Zeqiria Morina, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i akuzuar për korrupsion.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Kjo pije është një vrasës i të gjithë parazitëve në trup!
Pasi i akuzuari tha se e ka kuptuar aktakuzën e lexuar nga prokurori Rasim Maloku, ai u deklarua sërish i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Në këtë fazë të procedurës, u dëgjua në cilësi të dëshmitarit Zeqiria Morina. I njëjti fillimisht u përgjigje nga pyetjet e prokurorit Maloku.

Dëshmitari Morina deklaroi se për këtë çështje penale kishte dhënë deklaratë më parë, i njëjti tha se është menaxher i zyrës rajonale të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në Gjilan.

Tutje, i pyetur nga prokurori Maloku, se cilat kanë qenë detyrat dhe kompetencat e kësaj Agjencie, dëshmitari tha se AKP është institut i pavarur nga Kuvendi i Kosovës, mandati është të administroj, menaxhojë dhe të shes pronat e ndërmarrjeve shoqërore.

Ndërsa, sa i përket statusit të tij, dëshmitari tha se përfaqëson të drejtat e ndërmarrjeve shoqërore në organet publike, përfshirë edhe organet e drejtësisë si përfaqësues ligjorë, në bazë të ligjit për themelimin e AKP-së.

Prokurori Rasim Maloku, ka pyetur dëshmitarin, se si bëhet ndryshimi i statusit të pronës, nga ndërmarrja shoqërore në një tjetër qoftë ajo private apo titullarë tjetër.

Dëshmitari Zeqiria Morina, deklaroi se tek personat fizik apo juridik bëhet përmes kontratës së shitjes që bëhet nga AKP, ndërsa forma tjetër tha se është në bazë të ligjit për shpronësim, po ashtu mënyra tjetër dëshmitari Morina tha se bëhet përmes vendimeve të formës së prerë të Gjykatave kompetente.

“Statusi aktual i pronës shoqërore “Ramadan Agushi”, e cila është objekt i kësaj çështje, tani evidentohet si pronë e Kuvendit Komunal të Kaçanikut”, ka thënë dëshmitari Morina.

Mbrojtësja e të akuzuarit Xharku, avokatja Albana Kelmendi, ka pyetur dëshmitarin se çka përfshihet në menaxhimin e një prone të ndërmarrjes shoqërore.

Kështu, dëshmitari Morina deklaroi se menaxhimi dhe administrimi i pronës së ndërmarrjes shoqërore nënkupton vizitat e rregullta dhe konstatimin e gjendjes faktike në teren, ndërsa varësisht nga ndryshimet eventuale që mund të ndodhin në pronë, dëshmitari tha se atëherë marrin veprimet e lejuara ligjore.

Avokatja Albana Kelmendi, tutje ka pyetur dëshmitarin se a e ka vizituar ndonjëherë parcelën 650.3 në rastin konkret të kësaj çështje.

Dëshmitari Morina tha se personalisht nuk e kishte vizituar pasi që këtë veprim e kryen zyrtari tjetër.

Tutje, avokatja Kelmendi ka pyetur dëshmitarin Morina nëse është në dijeni se në atë pronë a ka pas ndonjë objekt të ndërtuar, dëshmitari Morina tha se sipas raportit që kishte lexuar kishte kuptuar se në atë pronë ka pas të ndërtuar një ambulancë, kjo derisa zyrtarisht kjo ngastër kishte qenë në pronësi të ndërmarrjes shoqërore.

Shqyrtimi gjyqësorë vazhdoi me fjalë hyrëse të prokurorit Rasim Maloku, e cila deklaroi se gjatë shqyrtime gjyqësore për këtë çështje penale, prokuroria do të prezantoj provat të cilat janë propozuar në aktakuzë, ndërsa i njëjti tha se pas administrimit të provave do të vërtetohet gjendja faktike siç përshkruhet në aktakuzë.

Mbrojtësja e të akuzuarit Xharku, avokatja Albana Kelmendi tha se fjalën e saj hyrëse e ka përgatitur me shkrim, të cilën në kopje ia dorëzoi trupit gjykues dhe propozoi që të jetë pjesë përbërëse e këtij procesverbali.

E njëjta tha se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të prezantohen prova, ku pas administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e Zharkut.

Kryetari i Trupit Gjykues, Ibrahim Idrizi, njoftoi që mungojnë dëshmitarët e tjerë për të cilët nuk ka prova se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Në këto rrethana, u konstatua se nuk ka kushte të vazhdoj ky shqyrtim gjyqësorë.

Andaj shqyrtimi i radhës u caktua më 9 dhe 10 shkurt 2022.

Ndryshe, Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i kësaj komune, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtarë – Kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008 me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e Komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20%të në vij vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN“Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44 i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë ka kryer veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit nga neni 339 par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 Shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtarë – Kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësorë në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronarë Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09 të datës 29.01.2010 me të cilin aktgjykim paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronarë Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut.

Me këtë ai po ngarkohet se ka kryer veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit nga neni 339 par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së.

Të ngjashme