Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe sot po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të parë në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa akuzohet për krime lufte.
I pranishëm në gjykatore sot është i akuzuari Salih Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëgjimi i dëshmitarit të mbrojtur W03593 ka nisur më 20 shtator dhe kjo do të vazhdojë edhe sot.
Ndryshe, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Shënim: Dëshmitarit të mbrojtur i është modifikuar zëri dhe i është turbulluar pamja për shkak të masave mbrojtëse të caktuara nga trupi gjykues për mbrojtje të identitetit të tij. Për shkak të modifikimit të zërit mund të ketë momente ku dëshmia e tij nuk mund të dëgjohet e plotë apo nuk mund të jetë e kuptueshme.