Funksionarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar sërish mllefin dhe hatërimin e tyre ndaj BE-së, konkretisht karshi kryediplomatit evropian, Josep Borrell, pasi ky i fundit qortoi Kosovën duke e parë atë si palë konstruktive për dallim nga Serbia, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, raporton Paparaci.
Pas hedhjes së akuzave edhe publikisht nga kryeministri Kurti në adresë të diplomatit spanjoll, për shkak të dështimit të bisedimeve tetë orëshe në Bruksel, një reagim së fundmi e ka bërë edhe deputeti i LVV, Enver Haliti.
Deklarata e tij erdhi pasi propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Kësisoj, Haliti u shpreh se Bashkimi Evropian po kërkon nga Republika e Kosovës që ta harmonizojë politikën e vizave me atë të BE-së.
Megjithatë, ai tha se për këtë çështje është dakord 100%, por shtroi një pyetje publike në Facebookun e tij, e cila mund të konsiderohet e rrezikshme sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që kërkojnë viza për kosovarët.
“Çka mendoni sikur Republika e Kosovës të vendosë regjim vizash për të gjitha shtetet të cilat kërkojnë viza për qytetarët e Republikës së Kosovës?”, pyeti ligjvënësi i pushtetit.
Sidoqoftë, ai në status përveç se pati përkrahje nga militantët e LVV-së, mori edhe një kritikë, gjithashtu.
Një nga komentuesit i tha Halitit se “një postim i tillë nuk i përket nivelit të deputetit”.
“Pavarësisht e mirë apo e keqe Evropa, na kena nevojë për Evropën, dhe përkrahjen e saj.
Duhet me dit që Evropa nuk është në zorr për neve, por na jena në zorr për Evropën”, thuhet në komentin e njërit prej qytetarëve në postimin e Halitit.