Vazhdon kontrolli strikt ndaj restorantit ku dyshohet se u helmuan gjilanasit

Prishtinë | 30 Qer 2018 | 16:37 | Nga

Janë bërë më shumë se dy javë që kur kuzhina e restorantit “Garden” në Gjilan ka rifilluar punën pasi kishte qenë e mbyllur në vazhdën e një afere të helmimit masiv.

Salmonella Enteritidis, Saphylococcus aureus, Escheriehia coli dhe bakteret koliforme janë disa nga bakteret që u gjetën në ushqimin e restorantit ‘Garden’ ku dyshohet se u helmuan dhjetëra persona në Gjilan.

Këto rezultate dolën nga analizat që ishin bërë në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Rreth 45 persona janë hospitalizuar brenda dy ditësh, në javët e para të muajit qershor me simptoma helmimi të cilët deklarojnë se ishin ushqyer në restorantin ‘Garden’ në Gjilan.

Kuzhina e këtij restoranti pas këtij rasti u mbyll me vendim të prokurores së rastit dhe inspektorëve komunalë.

Informacione lidhur me gjendjen e pacientëve që ishin shtrirë në spitalin e Gjilanit ka dhënë Drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Nistret Hajrullahu.

Ai tha se kanë arritur të vërtetojnë shkakun e helmimit të disa pacientëve.

Sipas tij, te këta pacientë u gjet e njëjta bakterie që ishte gjetur edhe në mostrat e ushqimeve në restorantin, pas analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

”Është konfirmuar te disa, edhe në jashtëqitje është izoluar një shkaktar i sëmundjes që është izoluar edhe në sosin dhe sallatën, është konfirmuar shkaktari, salmonella ka qenë. Një mostër relevante është konfirmuar që kanë qenë të kontaminuar me ushqim”, tha Hajrullahu për KALLXO.com.

Ai po ashtu tregoi se në sezonën e verës vërehen raste të helmimeve por që sipas tij vijnë ndonjëherë edhe si pasojë e mungesës së hixhienës.

”Ka pëfunduar trajtimi pa pasoja. Meqënese tash është vera, mund të ndodhin helmimet me ushqim sporadike por nuk do të thotë se gjithmonë duhet të akuzohen restaurantet, tani varet edhe kujdesi personal i njerëzve, larja e duarve e të tjera”, tha Hajrullahu.

Sa i përket restorantit “Garden”, Kallxo.com ka siguruar vendimin e Inspektoratit Sanitar për hapjen e kuzhinës për punë.

Arsyetimi i këtij vendimi thotë se  “pas eleminimit të të gjitha të metave si: pastrimit të përgjithshëm, pastrimin-dezinfektimin  e inventarit, stabilimenteve, mjeteve të punës,enëve etj. Stabilimentet për ftohje janë funksionale dhe me temperature adekuate (Komorat,frigot,frizat). Ka mjetet e nevojshme për larje, pastrim dhe dezinfektim,ujë rrjedhës të nxehtë dhe ftohët”

Aty thuhet se është bërë kontrollimi i gjithë punëtoreve në bacilbartje – parazitologji (libreza sanitare). Kryerjen e Dezinfektimit, Dezinsektimit, Derratizimit në gjitha hapsirat e jashtme (kopshte) dhe anekset përcjellëse të restorantit

Dhe pas plotësimin e kushteve tekniko-sanitare dhe higjieniko sanitare, konstatuan se janë krijuar kushtet e sigurta për  prodhim-përgatitje dhe shërbim të ushqimit.

Megjithatë, ky vendim urdhëron disa masa preventive lidhur me këtë restorant si më poshtë:

Menaxhmenti është i obliguar që për çdo racion të ushqimit të ruaj mostren e ati racioni deri në 72 orë në kushte adekuate frigoriferike.

Të aplikoj praktikat e mira higjienike për personel, të aplikoj praktikat e mira të punës në përgaditje dhe shërbim, të bëjë pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt të gjitha hapësirave, inventarit,stabilimenteve,enëve dhe paisjeve tjera, të bëjë menaxhimin adekuat të mbeturinave, të përdor mjete higjienike adekuate për pastrim dhe dezinfektim, ë eleminoj kryqëkontaminimin.

Po ashtu Subjekti do të jetë nënë monitorim të përhershëm nga Inspektorati Sanitar.

Në anën tjetër menaxherin i këtij restoranti, Ekrem Behluli, ka konsideruar se kjo mund t’i jetë bërë për dëmtim të biznesit që sipas tij po ecte shumë mirë para kësaj ngjarje.

“Në kuzhinë bakteri nuk ka qenë prezent, në asnjë lloj të mishit nuk ka qenë prezent, vetëm në sallatë. (Inspektorati) e kanë lejuar punën në kuzhinë. Meqë nuk kanë gjetur në kuzhinë askund atë lloj të bakteries nuk ka qenë e arsyeshme me mbajt mbyllur. Kemi qenë më të mirët në Gjilan me punë”, tha Behluli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme