Futbolli spanjoll rinisi kampionatin të enjten dhe xhiroja e 28-të përfundoi të dielën.
Pas fundjavës, në krye të tabelës mbesin Barcelona dhe Real Madridi, që vazhdojnë luftën e madhe për titull kampioni me 61 pikë, respektivisht 59, ndërsa prapa në vendin e tretë ka mbetur Sevilla, që ka 50 pikë në total.
Real Madridi fitoi në shtëpinë e përkohshme dhe e shënoi takimin e 200-të të trajnerit Zinedine Zidane si drejtues i klubit.
“Madrilenët” të dielën fituan ndaj Eibarit 3:1 në ndeshjen e parë garuese të zhvilluar në stadiumin “Alfredo di Stefano”, e që ishte vazhdimësi e kampionatit të ndaluar në mars për shkak të pandemisë COVID-19.
Stadiumi “Bernabeu” është duke u rinovuar, kështu që Reali do t’i luajë ndeshjet e mbetura në shtëpi në stadiumin “Alfredo di Stefano” që përdoret nga ekipi i dytë i Madridit, ndërsa ka kapacitet prej 6000 ulëseve.
Pas vetëm katër minutash lojë, ka qenë mesfushori gjerman, Toni Kroos, ai i cili i dha avantazhin skuadrës së tij me një shënim brilant.
Realizator i golit të dytë ishte qendërmbrojtësi Sergio Ramos pas gjysmë ore lojë, ndërsa shtatë minuta më pas, në listë u shënua edhe mbrojtësi brazilian Marcelo, për golin e tretë dhe të qetësisë.
Eibari krejt çka arriti të bëjë në pjesën e dytë ishte goli i vetëm i realizuar nga mbrojtësi Pedro Bigas pas një ore lojë.
Zidane u bë vetëm trajneri i tretë i klubit që shkoi në 200 ndeshje në udhëheqje të klubit. Legjenda e futbollit francez ka fituar 10 trofe me ekipin “mbretëror”.
Ndërkohë, Lionel Messi shkëlqeu duke shënuar e asistuar në dy gola në fitoren e lideres së La Ligas, Barcelonës, që mposhti me rezultatin 4:0 si mysafire skuadrën e Real Mallorcas të shtunën.
Barcelona njëherësh bëri rikthimin e përkryer në futbollin spanjoll që u ndal për tre muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kampionia pati fillim të mbarë kur mesfushori kilian, Arturo Vidal, shënoi me kokë në minutën e dytë, ndërsa danezi Martin Braithwaite e realizoi golin e tij të parë me Barçën më vonë në pjesën e parë.
Jordi Alba më pas ishte shënues i golit të tretë për Barcelonën në minutën e 79-të pasi mori top të mirë nga Messi, i cili ishte asistues edhe në golin e Braithwaitet.
Argjentinasi më pas u shënua vetë në listën e realizatorëve në kohën shtesë.
Messi njëherësh realizoi 20 gola për edicionin e 12-të rresht në elitën e futbollit spanjoll.
Kjo fitore e dërgon Barcelonën në kuotën e 61 pikëve pas 28 ndeshjeve.
“E kontrolluam ndeshjen dhe ishte paraqitje e madhe pasi tre muaj nuk kemi qenë në gara”, tha golashënuesi Alba. “Tani i kemi edhe 10 ndeshje që duhet fituar patjetër dhe jemi duke shikuar përpara”.
Mallorca nga ana tjetër është në vendin e 18-të në ligë me vetëm 25 pikë, dhe është në zonën që dërgon në rangun e dytë të futbollit spanjoll.