Vazhdon rritja e çmimeve edhe këtë vit, këto janë produktet që u shtrenjtuan

Prishtinë | 04 Jan 2023 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe në fillim të këtij viti. Nga 31 dhjetori i vitit 2022 deri më 2 janar të vitit 2022, çmimet e produkteve kanë lëvizur.

Lëvizja e çmimeve vërehet edhe në një tabelë që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, në faqen zyrtare.

Aty figuron se janë shtrenjtuar kafja e bluar, çaji, detergjenti për rroba e shamponi për flokë. Çaji është shtrenjtuar për 67 centë.

Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe më 3 janar. Sipas tabelës së ASK’së, janë shtrenjtuar mishi i gjedhit, mishi i bardhë, jogurti, ajka, vezët, patatet, sheqeri, çaji, kripa e kuzhinës, uju natyral pa gaz, detergjenti për rroba e shamponi për flokë.

Ndërkohë, produktet që janë liruar janë orizi, makaronat, mielli, qumështi, djathi, gjiza, vaji, fasulja, të cilat janë liruar prej 1 deri në 4 centë.

Ndryshe, për vitin 2023, Banka Qendrore e Kosovës parasheh rënie të inflacionit.

Guvernatori i këtij institucioni, Fehmi Mehmeti, ka thënë se do të ketë ulje të inflacionit deri në 6 për qind.

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor të rritjes ekonomike në vend”, ka deklaruar Mehmeti.

Kurse, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në një deklarim për media ka thënë se çmimet edhe më tutje mund të mbesin në presion të inflacionit.

“Çmimet edhe më tutje do të mbesin në presion të inflacionit, do të mbesin në presion të mungesës së prodhimit të fuqisë punëtore. Ndërmarrësit anembanë vendit dhe jashtë Kosovës duhet të jenë më shumë të vëmendshëm për ruajtjen e punëtorëve dhe cilësinë e tyre, duke i mbajtur në punë, në mënyrë që Kosova të mos vuajë nga mungesa e punëtorëve”.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se për arsye të rritjes së pakontrolluar të çmimeve në vend duhet të rriten edhe pagat.

“Kemi rritje të pa kontrolluar të çmimeve, ngrirje të pagave qoftë të sektorit privat, publik, qoftë administratë, prandaj nëse kemi këtë trend inflacioni, atëherë duhet kemi prioritet ngritjen e pagave. Kosova po vonohet për ta zënë hapin”, ka thënë ai.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në matjen e fundit ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin nëntor 2022 me muajin nëntor 2021 ishte 11.6% , shkruan Demokracia.com.

Si në gjithë botën, rritja e çmimeve ka nisur nga fundi i vitit 2021, si pasojë e çrregullimeve në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

Çmimet kanë marrë hov më të madh kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Në bazë të të dhënave më të reja të Bankës Botërore, çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë nga prilli deri në korrik 2022, janë rritur për 19.2 për qind, që i bie që në këtë shkallë, 19.2 për qind pra, ishte edhe inflacioni për produktet ushqimore në vendin tonë.

Ndërsa, Agjencia e Statistikave ka treguar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022, me muajin korrik 2021, ishte 14.2 për qind. Banka Botërore njofton më tej se që nga 11 gushti 2022, indeksi i çmimeve bujqësore është 1% më i lartë se dy javë më parë.

Çmimet e misrit dhe të grurit janë 2% më të larta krahasuar me janarin 2022, ndërsa çmimet e orizit janë rreth 6% më të larta. Krahasuar me mesataren e janarit 2021, indekset e çmimeve të misrit dhe grurit janë 20% më të larta, ndërsa indeksi i çmimit të orizit është 16% më i ulët.

Paga minimale në Kosovë, nga viti 2011 është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas ASK-së, ka qenë 484 euro.

Ndryshe, për vitin 2023, Banka Qendrore e Kosovës parasheh rënie të inflacionit.

Guvernatori i këtij institucioni, Fehmi Mehmeti, ka thënë se do të ketë ulje të inflacionit deri në 6 përqind.

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor të rritjes ekonomike në vend”, ka deklaruar Mehmeti për REL.

Të ngjashme