Nxënëset e moshës 11 vjeçare të shkollës fillore “Hyzriu e Samiu”, në fshatin Letanc të Podujevës janë janë vaksinuar me vaksinën Human Papilloma Virus (HPV), me qëllim të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, raporton Ekonomia Online.
Ky proces është vlerësuar si “një hap i rëndësishëm” për shëndetin e vajzave, ndërsa u apelua tek prindërit pa përjashtim që t’i stimulojnë vajzat që ta marrin këtë vaksinë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë vizitës që i bëri kësaj shkolle, inkurajoi të rejat që të vaksinohen. Tha se vaksina nuk ka efekte anësore dhe se për këtë duhet të merret pa përjashtim.
“Po fillojmë vaksinim e vajzave të klasave të gjashta me vaksinën HPV e cila parandalon kancerin e qafës së mitrës. Kosova edhe në shekullin e kaluara ka vuajtur nga sëmundjet ngjitëse dhe ka pas vdekje të panumërta të qytetareve tanë gjatë shekullit të kaluar si pasojë e këtyre sëmundjeve.”, tha Vitia.
“Unë mora vesh që dje ka filluar në Komunën e Podujevës dje përmbi 80 për qind e vajzave e klasave të gjashta në vendin ku është bërë vaksinimi e kanë marr këtë vaksinë që është jashtëzakonisht lajm i mirë dhe përfund apeloj të gjithë prindërit pa përjashtim t’i stimulojnë vajzat ta marrin këtë vaksinë”, tha Vitia.
“Aspak efekte anësore nuk ka, e cila që nuk trajton po parandalon një sëmundje shumë të rrezikshme siç është kanceri i qafës së mitrës. Ministria e Shëndetësisë ka investuar dikun 5 milionë euro më shumë për këtë vit, jo vetëm për këtë vaksinë por edhe për dy vaksina të tjera dhe do të vazhdojë të investoj edhe më shumë në parandalim, natyrisht siç kemi investuar dhe po investojmë në Kliniken e Onkologjisë”, tha tutje Vitia.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, tha se hulumtimet në botë kanë paraparë që kjo moshë është idealja për të parandaluar kancerin në qafën e mitrës dhe se për këtë nuk duhet të ketë hezitim.
“Të gjitha vaksinat e kanë një kalendar të rregullt të vaksinimit. Kjo vaksinë e re tashti bashkë me dy vaksinat e tjera që është futur në përdorim e kanë kalendarin e caktuar të vaksinimit dhe jepet tek vajzat 12 vjeçare gjithësisht në klasën e gjashtë të shkollës fillore”, tha Ramadani.
“Do të vazhdojmë në mënyrë të rregullt çdo vit kalendarik bashkë me vaksinat e tjera të jepet në mënyrë të pandërprerë. Nuk ka asnjë ndryshim dhe nuk do të ketë sepse është paraparë në shumicën e rasteve në hulumtimet e gjithmbarshme në botë se kjo është mosha ideale kur mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës përmes kësaj vaksine e cila është tejet efikase tejet dobiprurëse për shëndetin e vajzave por edhe djemve të kancerit së qafës së mitrës po edhe atyre gjenitale të cilat praktikisht janë dëshmuar që japin rezultate dhe mbrojnë në mënyrë 100 për qind të kancerit së qafës së mitrës”.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është shprehur i lumtur që procesi i vaksinimit kundër kancerit të mitrës po ndodh edhe në komunën të cilën ai e udhëheq.
Bulliqi tha se mbi 80 për qind e vajzave të klasave të gjashta janë duke iu përgjigjur këtij procesi të vaksinimit.
“Jemi shumë të lumtur që ky proces po vazhdon edhe në komunën tonë. Nga ajo që kemi informacion deri tani, vërej që është një përgjigje në shkallë të lartë në këtë proces të vaksinimit”.
“Mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky proces të ecë në këtë format çfare është nisur, suksesshëm dhe besoj që do ta përmbyllim suksesshëm. Informacionet të cilat i kemi, mbi 80 për qind e kësaj gjenerate janë duke iu përgjigjur këtij procesi të vaksinimit”, është shprehur Bulliqi.