Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar pasi sot ka vdekur babai i Salih Mustafës dhe se ky i fundit nuk ishte lejuar që ta vizitoj nga Gjykata Speciale në Hagë. Bajraktari ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, të garantuar me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe për mospërputhje me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Në një postim në Facebook, Bajraktari ka theksuar se neni 8 i KEDNJ-së garanton të drejtën e secilit për respektimin e jetës private dhe familjare, ndërsa ndërhyrja e autoriteteve publike në këtë të drejtë lejohet vetëm në raste të kufizuara dhe të justifikuara ligjërisht.
“Sipas nenit 8 të KEDNJ-së, autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse kur ndërhyrja është e parashikuar me ligj dhe e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, rendit publik, shëndetit, moralit apo mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve”, ka shkruar Bajraktari.
Ai ka rikujtuar se jurisprudenca e GJEDNJ-së e konsideron refuzimin e vizitave për arsye humanitare, siç janë takimet me familjarë në rrethana të jashtëzakonshme apo pjesëmarrja në ceremoni mortore, si një ndërhyrje në jetën familjare, e cila mund të përbëjë shkelje të nenit 8 nëse nuk është e justifikuar.
“Sipas praktikës së GJEDNJ-së, refuzimi i vizitave humane mund të përbëjë shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, nëse ndërhyrja nuk është në përputhje me ligjin, nuk ndjek një qëllim të ligjshëm ose nuk është proporcionale dhe e nevojshme në një shoqëri demokratike”, ka theksuar ai.
Bajraktari ka sqaruar se çdo refuzim i tillë duhet të përmbushë tri kritere themelore: të jetë në përputhje me ligjin, të ndjekë një qëllim të ligjshëm dhe të jetë i nevojshëm e proporcional. Sipas tij, autoritetet duhet të bëjnë gjithmonë një vlerësim individual të rrethanave të secilit rast.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur disa vendime të GJEDNJ-së, përfshirë rastet Płoski kundër Polonisë (2002), Giszczak kundër Polonisë (2011) dhe Vetsev kundër Bullgarisë (2019), ku refuzimi i lejes për pjesëmarrje në varrime apo vizita tek familjarë të sëmurë është konstatuar si shkelje e nenit 8 të Konventës.
“Në këto raste, GJEDNJ ka vlerësuar se autoritetet nuk kishin dhënë justifikime bindëse dhe nuk kishin shqyrtuar seriozisht mundësinë e masave alternative të sigurisë, çka ka çuar në shkelje të të drejtës për jetë familjare”, ka shkruar Bajraktari.
Sipas tij, edhe pse GJEDNJ nuk garanton një të drejtë të pakushtëzuar për vizita humane apo pjesëmarrje në ceremoni varrimi për të burgosurit, ajo kërkon që çdo ndërhyrje të jetë e arsyetuar dhe e balancuar me interesin publik.
“Në praktikën e Gjykatës Speciale, për fat të keq, këto kritere nuk janë analizuar mjaftueshëm. Nuk është marrë parasysh konteksti lokal, lidhjet familjare dhe ndjeshmëria e situatës, prandaj mund të konstatohet se kemi shkelje të nenit 8 të KEDNJ-së dhe veprime në kundërshtim me praktikën e GJEDNJ-së”, shtoi ai.
Bajraktari ka theksuar se praktika e GJEDNJ-së është obliguese për t’u ndjekur nga sistemi gjyqësor, ku bën pjesë edhe Gjykata Speciale.