Vdekja e profesorit Naim Hoxha, Riinvest përkujton me nderime kontributin e tij

Prishtinë | 21 Nën 2025 | 11:53 | Nga Diellza Gashi

Me rastin e ndarjes nga jeta të profesor Naim Hoxhës, Instituti Riinvest organizoi një tubim përkujtimor në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimin, shkencën dhe zhvillimin e teknologjisë së informacionit në Kosovë.

Kolegu dhe miku i tij i afërt, Muhamet Mustafa, kujtoi me mall bashkëpunimin shumëvjeçar me profesorin, duke theksuar përkushtimin e tij të pashoq ndaj studentëve dhe projekteve profesionale.

“Lamtumirë profesor Naim Hoxha. Një dashuri e pakusht për Kosovën, e përmbushur me angazhim të veçantë e të paharrueshëm, sidomos në punën me studentët dhe në projektet kërkimore e profesionale në dijet e reja të teknologjisë së informacionit. Lajmi i pikëllueshëm për mua dhe për Riinvestin se profesor Naim Hoxha ndërroi jetë sot, na preku thellë, pikërisht në ditën kur do të kryesoja debatin në panelin e Forumit Vjetor Ekonomik të Institutit Riinvest (FEV25). Një dhimbje e madhe për familjen të cilës i ishte aq i përkushtuar – bashkëshortes, vajzave, djemve, motrave – dhe për ne në Institutin RIINVEST. U njohëm në fillim të viteve ’90, kur ai si udhëheqës i Katedrës për Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës po kërkonte ekspertë që të mbulonin lëndët nga fusha e informatikës, pas reformës së rëndësishme të programit mësimor: Bazat e të dhënave, Informatikë, Inxhinieri Softuerike e të tjera. Me rekomandim të Vegim Gashit, ai më aprovoi që unë t’i zhvilloja ato lëndë – duke punuar bashkë me prof. Naim Hoxhën. Ai në atë kohë ishte profesor i ri dhe mbante mësim teknik në Departamentin e Inxhinierisë Mekanike, por ishte i gatshëm të kontribuonte edhe në Fakultetin Ekonomik. Naimi ishte i jashtëzakonshëm. Ai punonte në kushte të vështira – asokohe në Fakultetin Ekonomik huazonim kompjuterë, disa nga shtëpitë private. Edhe ai vetë solli pajisje nga shtëpia e tij, përfshirë kompjuterë “386”. Përkundër kushteve, përmbajtja dhe cilësia e mësimdhënies ishin gjithmonë në nivel të lartë. Studentët e kishin të lehtë të punësoheshin, falë punës praktike dhe profesionalizmit të tij të jashtëzakonshëm”, theksoi ai.

Ai rrëfeu për fillimet e përbashkëta në vitet ’90, sfidat e mësimdhënies në kushte të vështira dhe themelimin e Institutit Riinvest në vitin 1995, ku Naim Hoxha dha kontribut të çmuar në projekte të rëndësishme kombëtare.

“Në maj të vitit 1995, themeluam së bashku Institutin Riinvest, ku profesor Naimi dha një kontribut të madh në secilin projekt. Projekti që dëshmoi se Kosova mund ta buxhetojë pavarësinë ekonomike – studimi për gjendjen e ekonomisë para vitit 1999 – është ndër më monumentalet që mbeten deri sot. Me vetmohim të pashoq ai angazhoi dijen dhe energjinë e tij në shumë projekte të tjera të rëndësishme. U takuam për herë të fundit sivjet, më 12 maj, kur po i ndanim mirënjohjet me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Institutit Riinvest. U gëzuam që ishte në gjendje të ishte mes nesh. Ai kishte bërë përpjekje të mëdha që të ishte i pranishëm, edhe pse sëmundja e kishte rënduar. Nuk do ta harrojmë kurrë kontributin e tij! Jemi të privilegjuar që punuam bashkë, ndamë gëzimet për rezultatet dhe hidhërimet për vështirësitë që na paraqiteshin gjatë punës sonë të përbashkët. Në emër të Institutit Riinvest shprehim ngushëllimet dhe bashkëndjeshmërinë për familjen e nderuar Hoxha, studentët dhe miqtë e tij”, është shprehur Mustafa.

E për të gjithë këtë një falënderim pati djali i profesorit Hoxha, Yll Hoxha.

“Nuk kam detyrë më të vështirë atë që mund të them është që ai ju ka dashtë shumë ju ka respektu dhe ju ju keni ofru hapësirën me ushtru pasionin e tij arsimin, debatit, shkencën të gjithë juve ju ka pasur jo vetëm kolegë por edhe shokë. Juve ju ka dergu me dashamirësi shumë të madhe” ka thënë Hoxha.

Të ngjashme