Vdes çetnik Slavko Aleksić, simbol i rrethimit famëkeq të Sarajevës

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Slavko Aleksić, çetniku famëkeq dhe komandant i formacionit paramilitar “Detashmenti Çetnik i Sarajevës së Re”, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Trebinje.

Lajmi për vdekjen e Aleksićit është konfirmuar për Trebinjelive.

Aleksić, siç rikujton N1 Sarajevë, është një nga figurat më kontraverse dhe më famëkeqe të lidhura me luftën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe me rrethimin shumëvjeçar të Sarajevës.

Emri i Aleksićit në opinionin publik të Bosnje dhe Hercegovinës ka mbetur i lidhur përherë me periudhën e rrethimit të kryeqytetit, ku ai kujtohet si simbol i terrorit snajperistik dhe ushtarak ndaj popullsisë civile. Bëhet fjalë për një person, veprimtaria e të cilit konsiderohet një nga kapitujt më të errët dhe më problematikë të historisë bashkëkohore të Sarajevës dhe shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës.

I lindur në fshatin Bogdašići në vitin 1956, Aleksić pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Sarajevë, ku punoi dhe studioi juridik. Në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 u përfshi aktivisht në strukturat nacionaliste dhe në vitin 1990 ishte ndër personat që morën pjesë në ringjalljen e lëvizjes çetnike në Sarajevë. Po atë vit u bë anëtar i Partisë Radikale Serbe.

Pas vrasjes së krushkut të vjetër para Kishës së Vjetër Ortodokse në Baščaršija, më 1 mars 1992, Aleksić mori rolin e komandantit të “Detashmentit Çetnik të Sarajevës së Re”, selia e të cilit ishte në Grbavicë. Gjatë luftës veproi në kuadër të forcave që morën pjesë në rrethimin e Sarajevës, ndërsa veçanërisht lidhet me vijat e frontit në zonën e Grbavicës dhe Varrezave Hebraike, një nga pikat më të rënda dhe më të përgjakshme të përplasjeve mes Ushtrisë së Republikës Srpska dhe Ushtrisë së Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Kurrë nuk u procedua dhe as u dënua

Formacionet nën komandën e Aleksićit ishin të pranishme në pozicionet nga të cilat qyteti ishte i ekspozuar ndaj zjarrit të vazhdueshëm. Dëshmi të shumta të civilëve dhe të dhëna nga raporte të ndryshme i lidhnin njësitë e tij me sulme ndaj popullsisë civile dhe me përhapjen e frikës mes qytetarëve të Sarajevës gjatë rrethimit shumëvjeçar. Edhe pse emri dhe veprimtaria e tij shpesh lidhen me shkelje të rënda të së drejtës së luftës, Slavko Aleksić kurrë nuk është proceduar apo dënuar përfundimisht para gjykatave vendore apo ndërkombëtare, raporton N1 Sarajevë.

Gjatë luftës u plagos disa herë dhe, përveç njësive vendore, komandoi edhe një detashment vullnetarësh rusë në zonën e atëhershme të “Sarajevës Serbe”. Për çetnik vojvodë u shpall nga lideri radikal Vojislav Šešelj në vitin 1993, e më pas edhe nga çetniku vojvodë Momčilo Đujić.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, në mars të vitit 1996 ai udhëhoqi tërheqjen e forcave serbe dhe të një pjese të popullsisë nga Grbavica, duke marrë pjesë edhe në veprime simbolike që shoqëruan largimin nga lagjet e Sarajevës.

Pas përfundimit të luftës, Aleksić u tërhoq në Hercegovinën Lindore, kryesisht në zonën përreth Bileqës, ku vazhdoi veprimtarinë politike dhe ideologjike përmes organizatave çetnike dhe ravnogorase. Ai merrte rregullisht pjesë në tubime me karakter radikal dhe revizionist, ku shpesh glorifikoheshin ngjarjet e luftës dhe roli i tij gjatë rrethimit të Sarajevës.

“Sarajevo Safari” dhe vullnetari Aleksandar Vuçiç

Në vitet e fundit, emri i tij u rikthye në opinionin publik në kuadër të hetimit të njohur si rasti “Sarajevo Safari”, i cili po zhvillohet para institucioneve gjyqësore në Milano dhe lidhet me pretendime për veprimtari të organizuar snajperistike ndaj civilëve në Sarajevën e rrethuar.

Disa media rajonale e lidhën këtë rast edhe me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili gjatë luftës ishte vullnetar pikërisht në njësinë e Aleksićit.

Vuçiç iu përgjigj akuzave duke deklaruar se “kurrë nuk ka pasur snajper apo pushkë” dhe se në Pale ishte dërguar “ekskluzivisht si gazetar, sepse dinte anglisht”.

Edhe ish-zyrtari i inteligjencës së Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës, Edin Subašić, deklaroi për gazetën Danas se nuk ka indicie që presidenti i Serbisë të ketë qenë i përfshirë në të ashtuquajturin “Sarajevo Safari”.

“Ai duhet të përgjigjet për gjëra të tjera. Pra, kemi disa deklarata të Šešeljt se radikali i ri Aleksandar Vuçiç ishte vullnetar në njësinë e vojvodës çetnik Slavko Aleksić, në pozicionet mbi Varrezat Hebraike të Sarajevës. Nga ato pozicione serbe, zjarri snajperistik ndaj qytetit ishte më vdekjeprurësi. Megjithatë, Vuçiç nuk përputhet me profilin e ‘gjuetarëve safari’ për të cilët flasim këtu. Edhe nëse ka qëlluar, ai me siguri nuk ka paguar për këtë dhe nuk ka qenë pjesë e atyre marrëveshjeve”, thekson Subašić.

Rrethimi i Sarajevës

Vdekja e vojvodës çetnik Slavko Aleksić ka rihapur çështjet e përgjegjësisë, krimeve të pandëshkuara dhe raportit ndaj trashëgimisë së rrethimit të Sarajevës, një nga periudhat më të rënda në historinë e re të Bosnje dhe Hercegovinës, thekson N1 Sarajevë.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë, nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996, dhe konsiderohet rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë moderne, ku snajperët ishin një nga instrumentet kryesore të terrorit.

Gjatë gati katër vjetëve, qyteti ishte plotësisht i rrethuar nga forcat e Ushtrisë së Republikës Srpska, i ekspozuar ndaj granatimeve të përditshme, zjarrit snajperistik dhe terrorit sistematik ndaj popullsisë civile.

Sipas të dhënave të institucioneve relevante dhe qendrave kërkimore, gjatë rrethimit në Sarajevë u vranë mbi 11.500 civilë, mes tyre më shumë se 1.600 fëmijë. Dhjetëra mijëra qytetarë u plagosën, ndërsa e gjithë popullsia jetonte pa kushte elementare – pa ujë të rregullt, energji elektrike, ngrohje dhe liri lëvizjeje. Snajperizmi, sidomos në rrugët kryesore, ura dhe pranë shkollave, tregjeve dhe spitaleve, u bë përditshmëri, për çka Sarajeva në opinionin ndërkombëtar u cilësua si qytet nën terror të vazhdueshëm.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, në disa aktgjykime, ka konstatuar se rrethimi i Sarajevës përbënte një fushatë të organizuar kundër popullsisë civile, me qëllim përhapjen e frikës dhe detyrimit, e cila u cilësua si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit.

Shumë pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska janë dënuar për krime të lidhura me rrethimin, përfshirë veprimtarinë snajperistike.

Rrethimi la pasoja të thella demografike, psikologjike dhe urbanistike, ndërsa emri i Slavko Aleksićit në diskursin publik në Bosnje dhe Hercegovinë lidhet pikërisht me këtë formë të krimit të luftës dhe në Sarajevë mbahet mend si simbol i terrorit snajperistik.

Të ngjashme