Vdes fituesi i Nobelit, Liu Xiaobo

Prishtinë | 13 Kor 2017 | 22:48 | Nga

Laureati kinez i Çmimit Nobel për Paqe, Liu Xiaobo, ka vdekur gjatë betejës së tij me sëmundjen e kancerit, kanë thënë autoritetet kineze.

Zyrtarët kinezë i kanë injoruar thirrjet ndërkombëtare për të lejuar nobelistin që të kalojë ditët e fundit të jetës i lirë.

Liu, 61 vjeçar, ka vdekur pas një muaji që është transferuar nga burgu në spital për ta trajtuar kancerin e mëlçisë, në fazën e fundit.

Autoritetet e qytetit Sheniang kanë thënë se Liu ka vdekur tri ditë pasi ka kaluar në kujdesin intensiv në një spital lokal.

Liu është arrestuar në vitin 2008 pasi ka shkruar peticionin i cili bënte thirrje për mbrojtje të drejtave të njeriut dhe reformimin e sistemit politik në Kinë.

Në vitin 2009, ai është dënuar me 11 vjet burgim.

Organizatat botërore për të drejtat e njeriut u kanë bërë thirrje autoriteteve të lirojnë Liun dhe t’i lejojnë trajtimin jashtë vendit.

Gjermania dhe SHBA, patën shprehur gatishmërinë për trajtimin e Lius si “shenjë humaniteti”.

Liu ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2010.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme