Vaterpolisti i njohur hungarez Tibor Benedek, ka vdekur sot në moshën 48-vjeçare, ka bërë të ditur Federata e Vaterpolos e Hungarisë.
Benedek, i lindur në Budapest, ishte njëri prej sportistëve më të njohur në Hungari, derisa në maj u tërhoq për shkak të sëmundjes.
Ai është kampion i trefishtë olimpik, e më pas edhe seleksionues i Hungarisë.
Gjatë karrierës ka fituar me dhjetëra tituj vendor e ndërkombëtar.
Pos medaljeve të arta olimpike të fituara me Hungarinë më 2000, 2004 e 2008, po ashtu fitoi edhe tituj të botës e të Evropës.
Shtatë herë u shpall kampion në Itali, gjashtë herë në Hungari, ndërkohë që pesë herë e fitoi Euroligën.
Si seleksionuesi i Hungarisë, suksesin më të madh e arriti më 2013, kur u shpall kampion i botës.
Për Hungarinë, si lojtar është paraqitur në 437 ndeshje.