Ish-futbollisti i Tiranës dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i FShF-së, Skënder Hyka, ka vdekur sot pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë.
Ai së fundmi ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FShF-së, në pesë legjislaturat e fundit.
Armand Duka i ka shprehur ngushëllime familjes së Hykës dhe të afërmit e tij.
“Me hidhërim të thellë dhe me dhimbje njerëzore, ndaj me Ju, të nderuar miq të komunitetit të futbollit, lajmin e trishtë, se Skënder Hyka, një ish-lojtar i shquar, drejtues klubi dhe mik e dashamirës i madh i futbollit, është ndarë nga jeta, përgjithmonë. Në këtë çast të dhimbshëm për të gjithë ne, për familjen, miqtë dhe dashamirësit e shumtë, besoj dhe shpresoj, që kjo humbje e madhe të lërë mes nesh kujtimin më të mirë të të ndjerit. Kujtimin e një njeriu, që gjatë gjithë jetës së tij ju përkushtua futbollit, punoi dhe dha më të mirën për zhvillimin e tij”, thuhet në telegram ngushëllimin e FShF-së.
“Kujtimin e një lojtari legjendë, të një drejtuesi të devotshëm dhe të një njeriu zemërgjerë dhe të ndershëm. Skënder Hyka, ishte një prej futbollistëve më të shquar të viteve 60-70, i cili ka spikatur me talentin dhe aftësinë e tij, duke u bërë i dashur për tifozët anë e mbanë Shqipërisë. Ai spikati edhe si drejtues i FSHF në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm apo për disa legjislatura radhazi atë të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv. Në çdo cast ai ka ndihmuar me përkushtimin dhe mendimet e tij, që futbolli të ecë përpara. Në emër të komunitetit të lojës tonë të mrekullueshme, të Federatës Shqiptare dhe të gjithë, miqve dhe dashamirësve të tij, gjej rastin që ti shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta, për humbjen e njeriut të dashur. Parajsa, qoftë vendi ku do të prehet. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara”, thuhet në telegram.
FShF do të organizojë ceremoninë e homazheve në kujtim të Skënder Hykës, ceremoni e cila do të zhvillohet nesër nga ora 11:00-12:00 pranë ambienteve të stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë.