Sot, është ndarë nga jeta Nëna Zejnepe nga komuna e Lipjanit, e cila përjetoi dhimbje të madhe. Ajo humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipat nga duar kriminale të pushtuesit serb, por gjeti forcën për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë.
Për vdekjen e saj ka njoftuar kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili dhe e ndau ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e saj.
Telegram ngushëllimi:
Sot, paska pushuar zemra e Nënës Zep, një nëne që përjetoi dhimbjen më të madhe, por që nuk u përkul kurrë.
Nëna Zep humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipat nga dora kriminale e pushtuesit serb por gjeti forcën për të kërkuar të vërtetën, për të zbuluar trupat e të dashurve të saj dhe për të kërkuar drejtësi.
Ajo nuk e jetoi dhimbjen në heshtje, por e ktheu atë në betejë për drejtësi dhe kujtesë. Sot, largohet nga kjo botë, por zëri dhe sakrifica e saj do të mbeten përjetësisht në zemrat tona dhe në historinë e Kosovës.
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që ndanë dhimbjen dhe krenarinë për këtë grua të jashtëzakonshme.
U prehsh në paqe, Nënë Zep! Lavdi jetës dhe veprës tënde!