Një punonjës në një kopsht zoologjik ka vdekur si shkak i sulmit të arinjve. Siç shkruan BBC, rasti ka ndodhur gjatë së shtunës, ku punonjësi ishte futur në zonën e kafshëve të egra të kopshtit, derisa turistët e tmerruar shihnin tragjedinë.
Parku i Kafshëve të Egra në Shangai i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, duke shtuar se janë shumë të dëshpëruar me këtë tragjedi. Ata bënë me dije se janë duke shikuar rrethanat e incidentit dhe do të punojnë në përmirësimin e kushteve të sigurisë.
Që nga ky rast, parku po qëndron i mbyllur ndërsa vizitorëve u janë kthyer paratë e biletave. Disa nga vizitorët që ishin afër vendngjarjes shkruan në rrjete sociale se kishin dëgjuar shumë zhurmë.
Ndërsa, disa kanë komentuar se arinjtë po veprojnë si çdo kafshë e egër, dhe zgjidhja e vetme për të mos u përsëritur aksidente të tilla, është që kopshtet zoologjike të mbyllen dhe kafshët të lihen të lira.