Vdes oftalmologu Visar Huruglica, ishte 40 vjeç

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Në moshën 40-vjeçare ka vdekur oftamologu Visar Huruglica. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Huruglica lindi në Gjilan, ku kreu edhe shkollën fillore dhe të mesme. Ai kreu studimet në Mjekësi të Përgjithshme në Prishtinë, ndërsa në vitin 2015 përfundoi specializimin në Oftalmologji. Ai punonte si specialist në Klinikën e Syve në QKUK.

“Me dhembje dhe pikëllim të thellë pranuam lajmin për vdekjen e parakohshme të Dr. Visar Huruglica, specialist i Oftalmologjisë në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ndonëse i ri në moshë, Dr. Huruglica dha kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e pacientëve. Dr. Visar Huruglica u lind në vitin 1982 në Gjilan, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet universitare në Mjekësi të Përgjithshme i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në vitin 2015 përfundoi specializimin në Oftalmologji, për tu punësuar më pastaj në Klinikën e Oftalmologji. ShSKUK dhe menaxhmenti i Klinikës së Oftalmologjisë i shprehin ngushëllime familjes Huruglica dhe gjithë komunitetit mjekësor për këtë humbje të madhe”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se është tronditur me lajmin për vdekjen e oftamologut Huruglica, ndërsa i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Jam i tronditur me lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të mjekut të ri nga Gjilani, oftalmologut të njohur dr. Visar Huruglica. Dr. Visari ka dhënë kontribut të pamatshëm për kohën sa punoi si profesionist i mjekësisë dhe vdekja e papritur është një humbje e madhe për Gjilanin e për Kosovën. E dashur familje Huruglica, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe të më të dashurit tuaj e të mjekut tonë. Ngushëllime edhe kolegëve, shokëve e të gjithë atyre që e njohën. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen!”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Të ngjashme