Njeriu më i pasur në Evropë, miliarderi nga Republika Çeke, Petr Kellner, ka vdekur tragjikisht të shtunën pas një përplasje helikopteri në Alaskë, njoftoi grupi i tij financiar “PPF”.
Autoritetet amerikane njoftuan zyrtarisht se të paktën pesë persona u vranë dhe një u plagos kur helikopteri në të cilin ndodhej Kellner u rrëzua në Alaskë.
Administrata Federale e Aviacionit të ShBA-ve njoftoi se nuk dihen ende shkaqet e rrëzimit të aeroplanit.
Në vitin 2018, fondi i investimeve që drejton Petr Kellner, ishte bërë pronar i të gjitha kompanive të telekomunikacionit “Telenor” në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore. Përfshirë edhe degën e kompanisë në Malin e Zi.
“PPF” hyri në biznesin e telekomunikacionit më 2013, duke blerë “Telekom 02” në Çeki dhe Sllovaki.
Fondi i investimeve me bazë në Amsterdam operon në të gjithë botën, dhe kompanitë në portofolin e tij punësojnë më shumë se 150,000 njerëz. Fondi operon në më shumë se 20 vende të botës, duke përfshirë Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Kinën, Indinë, Vietnamin, Indonezinë, si dhe rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në vitin 2019, u raportua se një kompani që është pjesë e “PPF”-së së Kellnerit, kishte shprehur interesim për privatizimin e Telekomit të Kosovës. Kompania “Rockaway Capital PFF”, pjesë e grupit investues të Kellnerit, raportohej të ketë qenë në mesin e kompanive të interesuara në privatizimin e Telekomit të Kosovës.